Drejtori i Inspekcionit në Drenas thotë se bizneset nuk po abuzojnë me çmimet e produkteve bazike

90427851_2817264318368709_1005863821551599616_o (1)
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Mars 24, 2020

Drenas – Bizneset në Komunën e Drenasit nuk po abuzojnë me çmimet e produkteve bazike dhe vendimeve e Qeverisë Kosovës, si dhe ato të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për parandalimin e përhapjes së virusit  Covid-19, po respektohen dhe po zbatohen  në tërë territorin e kësaj komune.

Një gjë të tillë e ka thënë për “Betimi për Drejtësi” drejtori i Inspekcionit  në Komunën e Drenasit, Milaim Hajdari.

Sipas tij, janë duke u zbatuar të gjitha masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe nuk ka pasur shkelje nga ana e qytetarëve .

I njëjti ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe nuk kanë hasur as në abuzime me çmime dhe se  Drejtoria e Inspekcionit ka qenë në inspektim dhe monitorim me orar të zgjatur, duke punuar prej orës 08:00-24:00.

Sipas Hajdarit, janë inspektuar edhe marketet e vogla (shitoret) dhe kafiteritë nëpër fshatra.

Ai ka bërë të ditur se në rastet kur bizneset nuk kanë pas njohuri për vendimet e Qeverisë, të cilat janë plotësuar ose kanë ndryshuar, inspektoret  u kanë sqaruar dhe kanë dhënë rekomandimet e nevojshme.

Hajdari gjithashtu ka theksuar se gjatë kësaj periudhe kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Drenas.

Përndryshe, në Komunën e Drenasit akoma nuk ka asnjë të dyshuar apo të prekur me virusin Covid-19. /BetimipërDrejtësi