Drejtori i Inpektoratit në Pejë thotë se janë marrë masat e duhura për secilin person që ka hapur biznesin në kundërshtim me vendimin e Qeverisë

PEJA
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Mars 24, 2020

Pejë – Në Pejë thuhet se janë marrë të gjitha masat e duhura, për secilin person i cili e ka hapur biznesin e tij në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka deklaruar drejtori i Inspektoratit në Komunën e Pejës, Leutrim Murtezaj.

Në një prononcim për “Betimin për Drejtësi”, Murtezaj ka thënë se personat të cilët i kanë hapur bizneset në Pejë në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, pos arrestimit të tyre, ndaj të njëjtëve është hapur procedurë në gjykatë dhe iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Për këta persona që i kanë hapur bizneset është hapet procedurë kundërvajtëse në gjykatë,  njëkohësisht pasi që është edhe vepër penale, të njëjtëve nga ana prokurorisë iu shqiptohet masa e ndalimit prej 48 orëve”, ka thënë Murtezaj.

Ai po ashtu ka theksuar se e mira e këtyre masave, është që personat e arrestuar më nuk kanë insistuar t’i hapin lokalet përsëri, gjë që sipas tij ka ndikuar edhe si masë preventive që të tjerët të mos veprojnë në kundërshtim me ligjin.

I njëjti shtoi që aktualisht në Komunën e Pejës situata është në kontroll dhe në gjendje të qetë, pasi që inspektorët janë në terren nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ndryshe në Komunën e Pejës, që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në raport me masat parandaluese të përhapjes së koronavirusit, mbi 10 persona janë arrestuar për veprën penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepra penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, është e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”. /BetimipërDrejtësi