Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren thotë se Udhëzimi Administrativ për organizimet jashtë shkollore ka qenë i paqartë

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Shaip Buduri, Drejtor i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, ka thënë se Udhëzimi Administrativ i MAShT-it, i vitit 2013, ka qenë i paqartë sepse nuk sqaronte asgjë rreth procedurave për të organizuar një ekskursion.

Këtë deklaratë, Buduri, e ka bërë të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në mbrojtjen e tij nga akuza se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, gjatë organizimit të ekskursionit të maturantëve për në Shqipëri.

Ai më tutje ka shtuar se ekskursioni zakonisht është bërë në fund të vitit shkollor, por në atë vit është vendosur nga Ministria e Arsimit, që të zhvillohen ekskursionet në fillim të vitit shkollor.

Poashtu, sipas të akuzuarit Buduri, ata për herë të parë janë marrë me një çështje të tillë, pasi që më parë Drejtoria Komunale e Arsimit, ishte marrë me çështjet e tenderimit, andaj janë detyruar të punojnë me aq sa kanë ditur.

Në këtë seancë ka bërë mbrojtjen edhe i akuzuari tjetër, Bujar Nerjovaj, i cili ka qenë për tri vite anëtarë dhe një vit drejtor, i Këshillit Drejtues të shkollës “Gjon Buzuku” në Prizren.

Nerjovaj ka thënë se për tri vite ka përfaqësuar prindërit e shkollës, në këtë këshill, ndërsa për vitin që flet aktakuza ka qenë drejtor i këtij këshilli.

Ai ka shtuar se si këshill kanë punuar me UA të MASht-it, por se aty nuk është sqaruar gjithçka andaj kanë vepruar ashtu siç kanë menduar se është më mirë për nxënësit..

Ai ka thënë se si prind ka qenë laik sa i përket procedurave të tenderimit dhe ankimimit dhe se nuk i është ofruar ndonjë dokument nga DKA-ja apo shkolla që të rreth kësaj çështje, por se vendimet në këshill, kanë qenë unanime.

I akuzuari, Nerjovaj, tutje ka sqaruar se pasi që ekskursioni ndryshoi kohë, poashtu DKA-ja ka autorizuar KDSh-në që të organizojë ekskursionin, ata kanë vepruar në shpejtësi, duke formuar komisione të brendshme.

Poashtu ka thënë se në hapjen e ofertave, të gjithë operatorët ekonomik kanë pretenduar se kanë rezervuar hotelin me kapacitet për mbi 600 persona në Shëngjin, ku kishin vendosur ata që të shkojnë

Andaj, njëra prej kërkesave të prindërve, sipas tij, ka qenë që të verifikohet rezervimi i hotelit, pasi që pretendohej nga të gjithë operatorët ekonomik.

Ai, së bashku me drejtorin Buduri dhe një nxënëse, ka shkuar në hotel me shpenzime personale dhe kanë kuptuar se aty kishte bërë rezervimin vetëm operatori “Atmaxha Tours”, të cilin edhe e kanë shpallur fitues.

Këta të akuzuar kanë thënë se veprimet e atij viti kanë qenë veprime të shpejta, megjithëse nuk janë bërë sipas praktikave standarde, është menduar më e mira për fëmijët.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka shtyrë për 30 gusht 2016, në ora 09:00.

Në këtë rast deri më tani janë dëgjuar shumë dëshmitarë, duke përfshirë operatorët e pakënaqur, si të dëmtuar, anëtarët e këshillit drejtues dhe drejtori i DKA-së, në Prizren.

Aktakuza, e përfaqësuar nga prokurorja, Ervehe Gashi, i ngarkon këta dy të akuzuar, së bashku me të akuzuarin tjetër, Beqir Letaj, si zëvendës-drejtor i shkollës në fjalë, se me rastin e përzgjedhjes së kompanisë fituese për ekskursionin e vitit 2013, kanë favorizuar kompaninë fituese.

Sipas organit të akuzës, favorizimi është bërë duke përcaktuar kushte jashtë UA, si p.sh. rezervimi i hotelit “Rafaello”, pasi që në këtë mënyrë ka eliminuar konkurrencën.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë