Drejtori i auditimit thotë se nuk ka akt ligjor që përcakton se zyrtari i MPMS-së nuk mund t’i dërgojë formularët e aplikimit për veteranë jashtë Kosovës

IMG-9629
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 12, 2021

Prishtinë – Drejtori i Auditimit të Brendshëm në Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ruhan Kadriu, ka thënë se nuk kishte hasur në ndonjë akt ligjor që përcakton se një zyrtar i kësaj ministrie, pa lejen e eprorit, nuk mund t’i nxjerrë formularët e aplikimit për fitimin e statusit të veteranit jashtë Kosovës.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e mbajtur të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku udhëheqësja e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në Departamentin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës (DFDIL), Sanije Rexha dhe zyrtari tjetër i MPMS-së, Kushtrim Bala, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se u kishin mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij, i pyetur nga avokati Muhamet Mujaj, mbrojtës i të akuzuarit Bala, se a kishin pasur të drejtë zyrtarët e MPMS-së që pa lejen e eprorëve apo meaxhmentit, të tërheqin formularët dhe t’i dërgojnë jashtë Republikës së KS, dëshmitari Kadriu ka thënë se kjo nuk ishte paraparë me asnjë akt ligjor.

“Nuk e përcakton udhëzimi administrativ, unë nuk kam hasur në asnjë akt ligjor apo nënligjor që e rregullon këtë çështje, ndoshta ekziston por unë nuk kam hasur. Në bazë të rregullave të shkruar dalja e vendit të punës zyrtari është i obliguar ta njoftojë eprorin e tij”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se nëse një aplikues për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së, nuk ishte i pajisur me certifikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit për kategoritë e luftës, atëherë sipas tij, ai aplikacion ishte i kundërligjshëm.

Në pyetjen e mbrojtësit së të akuzuarit Bala, avokatit Muhamet Mujaj, se gjatë auditimit të DIL, a kishin hasur parregullsi apo keqpërdorim nga dy të akuzuarit, dëshmitari Kadriu ka thënë se kishin hasur në disa parregullsi, por sipas tij, këto parregullsi ishin në përgjithësi për departamentin e jo për persona.

Ai tha se nuk kishin hasur parregullsi sa i përket certifikatave të lëshuara nga zyra e kryeministrit, pasi sipas dëshmitarit, nëse do të kishin hasur në parregullsi atëherë lënda do ti dërgohej organeve kompetente.

Formulari për njohjen e statusit të veteranit, apo edhe të skemave tjera, dëshmitari ka thënë se mund të merret nga aplikuesi edhe jashtë MPMS-së, pasi sipas tij ky formular nuk ka as numër serik.

“Unë nuk kam hasur në ligj apo udhëzim administrativ që aplikuesi nuk ka të drejtë me e marrë aplikacionin, unë mendoj se ka të drejtë, udhëzimi i ministrisë thotë zyrtari duhet me i ndihmu aplikuesit nëse është nevoja, duhet me sugjeru, duhet me kërku dokumente shtesë nëse nuk janë plotësuar të gjitha kriteret dhe duhet ta ndihmojë aplikuesin”, ka thënë dëshmitari.

Por sipas tij, kishte gjasë që në fazën fillestare departamenti me qëllim të ruajtjes së këtyre formularëve nuk kishte dhënë jashtë MPMS-së, por sipas tij, nuk ekziston asnjë vendim për mos marrjen e këtyre formularëve.

Në momentin kur formularët shpërndahen nëpër zyrat rajonale, dëshmitari ka thënë se duhet të mbahet evidencë pasi sipas tij, pranimi i çdo malli bëhet prej tre anëtarëve të caktuar me vendim të menaxhmentit të MPMS-së.

Në lidhje me aplikacionet të cilat janë dëmtuar fizikisht, dëshmitari tha se institucioni që i kishte pranuar nuk mban shënime për dëmtimin e tyre, por sipas tij mbahen evidenca për aplikacionet që ishin dorëzuar.

Ai tha se kur një qytetar kishte paraqitur kërkesë se nuk ishte në gjendje të mirë fizike dhe se nuk mund të paraqitej në zyrën e MPMS-së për të aplikuar, sipas tij ministria ishte e obliguar që t’i caktojë zyrtarët kompetent që të shkojnë në shtëpinë e të njëjtit dhe ti ofrojnë ndihmën e kërkuar.

Por sipas dëshmitarit, zyrtarët që ishin caktuar për ofrimin e këtyre shërbimeve kishin qenë të obliguar që të njoftojnë eprorin me njoftim gojor apo përmes telefonit dhe me vete sipas tij këta zyrtar mund të merrnin edhe aplikacionin.

Ai tha se gjatë auditimit të DIL-së, nuk kishin hasur në ndonjë kërkesë të të akuzuarve Rexha dhe Bala, me anë të së cilës të njëjtit i ishin drejtuar ndonjë prej eprorëve të tyre për tërheqjen e ndonjë aplikacioni.

Në pyetjen e prokurorit special, Dren Paca se a ishte në dijeni se dy të akuzuarin kishin tërhequr 31 aplikacione nga DFDIL dhe të njëjtat i kanë dërguar në Republikën e Shqipërisë për ti plotësuar nga aplikuesit, dëshmitari ka thënë se për këtë ishte njoftuar nga mediat, por sipas tij nga menaxhmenti i këtij departamenti nuk ishte ngritur asnjëherë një shqetësim i tillë.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarës Sanije Rexha, se nëse udhëheqësi i divizionit për monitorim dhe kontroll, në këtë rast e akuzuara Rexha, a kishte mundur me vet iniciativë të dalë në teren me kërkesë të palës, apo i duhej autorizimi nga eprorët, dëshmitari ka thënë se për çdo dalje nga vendi i punës duhet të njoftohet eprori.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 4 shkurt 2021, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi