Drejtori i Arsimit në Lipjan kërkon të hudhet aktakuza që e ngarkon për cenim të të drejtave të punësimit

Foto e seances 6
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Nëntor 8, 2018

Lipjan Në shqyrtimin e dytë të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza e ngritur ndaj tij.

Hasani po akuzohet se nuk ka vepruar në përputhje me legjislacionin mbi të drejtën e personave të papunësuar, ashtu që ia ka cenuar të drejtat për punësim, tani të dëmtuarit Fidan Hetemi.

Në seancën e së enjtes, i pandehuri ka deklaruar se i dëmtuari Hetemi i ka pasur të gjitha mundësitë për të shfrytëzuar të drejtat e tij në bazë të konkursit, e që sipas tij nuk i ka shfrytëzuar fare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse dikush ia ka shkelë të drejtat paraqitësit të kallëzimit penal, ai ia ka shkelë të drejtat vetvetes”, tha Hasani.

Prokurorja Fatmire Cacaj e kundërshtoi kërkesën e të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës, me arsyetimin se e njëjta është ngritur mbi bazën e provave të ligjshme të mjaftueshme, të cilat i janë bashkangjitur shkresave të lëndës.

E njëjta i ka propozuar gjykatës që këto prova të administrohen në shqyrtim gjyqësor.

Gjykatësi i çështjes, Selman Salihi tha se seancën e shqyrtimit kryesor do ta caktojë pasi të vendosë lidhur me kërkesën e të pandehurit për hudhjen e aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me 4 korrik 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Rasim Hasani të cilin e ngarkon me veprën penale “cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2014, në Lipjan i pandehuri Hasani, nuk ka vepruar në pajtim me legjislacionin mbi të drejtën e personave të papunësuar dhe në këtë mënyrë të dëmtuarit Fidan Hetemit ia ka mohuar apo kufizuar të drejtat që i takojnë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Hasani si drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Lipjan, në cilësinë e punëdhënësit ka shpallur konkurs për disa vende të reja të punës, ndërsa me vetëdije nuk ka shpallur vendet e punës për mësim zgjedhor.

Me rastin e publikimit të listës së rezultateve janë pranuar edhe dy mësimdhënës për mësim zgjedhor, në shkollën e mesme “Ulpiana”, të cilat vende të lira të punës nuk janë cekur në konkursin e shpallur, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Komunave të Republikës së Kosovës, neni 5 pika c dhe me dispozitat e nenit 8.1.2 të Ligjit të Punës nr.03/L-2012, ku janë cenuar të drejtat në punësim.

Po ashtu sipas aktakuzës, përkundër faktit se i dëmtuari Fidan Hetemi, ka punuar me kontratë të punës, në cilësinë e mësimdhënësit për lëndët zgjedhore në shkollën e mesme “Ulpiana” në Lipjan, në periudhën kohore prej vitit 2012 deri me 31 gusht 2014, atij i është mohuar dhe kufizuar e drejta për punësim, në kushte të njëjta ashtu siç është përcaktuar me ligj. /Betimipërdrejtësi