DREJTORI I ARSIMIT NË KOMUNËN E DEÇANIT NUK E PRANON FAJËSINË PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Drejtori i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur para gjykatësit Sylë Lokaj, Drejtori i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, është deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar të ketë kryer veprën penale, e cila i vihet në barrë, duke pretenduar se pafajësinë e vet do ta vërtetoi para gjykatës. Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj, tha se qëndron pranë aktakuzës dhe provave të propozuara në të.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës Isa Osdautaj paralajmëroi kundërshtim të akuzës dhe argumentim me prova bindëse, se i mbrojturi i tij me asnjë veprim nuk ka kryer vepër penale.

Ky rast është inicuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, sipas të cilës më 3 nëntor 2011, i pandehuri si person zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që tjetri të përfitojë, duke lëshuar rekomandim në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilin Xhevat Bozhdaraj e cakton në punën Koordinator Komunal për Qendrën Zhvillimore Profesionale në SHFMU “Lidhja e Prizrenit”, pa përgatitje adekuate shkollore. Më pas, me të njejtin lidhë kontratë pune me të njejtin për lëndën Histori-Gjeografi, nga e cila i njejti merr pagat mujore pa e kryer asnjëherë këtë punë, duke e dëmtuar buxhetin e KK Deçan në shumën prej 12.389 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë