Drejtori i Arsimit në Kllokot mohon fajësinë, prokurori thotë se s’e din sa persona u punësuan jashtëligjshëm nga ai

70893103_767231487069616_4745251066017218560_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 24, 2019

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, në gusht të këtij viti, ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë dhe Sport në Komunën e Kllokotit, Goran Marinkoviq, të cilin e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Atë e akuzon se gjatë konkursit të shpallur më 14 mars 2018, kundërligjshëm ka pranuar në punë personel arsimor dhe jo arsimor, por që në aktakuzë askund nuk specifikohet se sa është numri i të punësuarve.

Lidhur me këtë rast, të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, është mbajtur seancë fillestare, ku i akuzuari Marinkoviq, është deklaruar i pafajshëm.

Pasi që në aktakuzë, nuk përmendet numri i personave të punësuar, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit, Isuf Sadiku ka thënë se nuk e din se sa është numri i të punësuarve jashtëligjshëm në disa shkolla të kësaj komune.

Ai ka thënë se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të kërkojë ekspertizë, si dhe do të specifikohet sa persona janë punësuar.

“Në vazhdim të shqyrtimit ka me kerku ekspertizë dhe me i specifiku ma detajisht sa persona janë etj. Tash nuk e kam numrin e këtyre personave”, ka thënë prokurori Sadiku, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë seancës të së martës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Marinkoviq është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk e ka kryer veprën penale më të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se si drejtor i Arsimit në Komunën e Kllokotit, lidhur me konkursin e publikuar e ka pyetur zyrën ligjore të kësaj komune, për t’i dhënë përgjigje në mënyrë që konkursi të publikohet sipas ligjit, por që për këtë gjë, sipas tij, nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke shtuar se ka qenë drejtor i ri dhe nuk i ka ditur procedurat lidhur me pranimin e punëtorëve.

Gjykatësi Aziz Shaqiri, e ka njoftuar të akuzuarin bashkë me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Ramadan Leka, se kanë të drejtën e kërkesës në afat ligjor, për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Për seancën tjetër, gjykatësi Shaqiri ka thënë se do të vendoset kur të plotësohen kushtet për mbajtjen e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 23 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Goran Marinkoviq, me arsyetimin se ai në cilësinë e drejtorit për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë dhe Sport në Komunën e Kllokotit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron detyrën e tij zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tij.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Marinkoviq derisa ka qenë i obliguar t’i zbatojë dispozitat ligjore të zbatueshme në Republikën e Kosovës, nuk iu ka përmbajtur të njëjtave, dhe gjatë punësimit të personelit arsimor dhe jo arsimor në Komunën e Kllokotit, gjatë konkursit të shpallur më 14 mars 2018, ka ardhur deri të parregullsitë deri në pranimin-punësimin e stafit arsimor dhe jo arsimor, e të cilat parregullsi janë të evidentuara edhe nga Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Arsimit, në Shkollën Ekonomike – Teknike në Vërboc, shkollën fillore “Marko Rajkoviq”, dhe në shkollën fillore “Sveti Slava” në Kllokot, ku të punësuarit në mënyrë të kundërligjshme nga ky konkurs i kanë marrë pagat, me çka Komunës së Kllokotit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, ndërsa konkursi i lartpërmendur është anuluar nga Inspektorati i Punës.

Me këtë, Goran Marinkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi