Drejtori i Arsimit në Kaçanik nuk e pranon fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Enver Kamishi i akuzuar për veprën penale në vazhdim “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u deklarua i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ai shtoi se pretendimet e përshkruara në dispozitiv të aktit akuzues nuk janë të vërteta.
Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, e udhëzoi të njëjtin që brenda afatit ligjor prej tridhjetë ditësh mund të paraqes kundërshtimet lidhur me akuzën si dhe propozimet e tij për këtë çështje.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ngarkon të pandehurin Enver Kamishi për veprën penale në vazhdim “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas pikës 1 të aktakuzës i pandehuri më 1 shtator 2014 në Kaçanik, si Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kaçanik, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompentencat me qëllim të përfitimit pasuror për personin tjetër. I pandehuri ka nënshkruar kontratë pune për kohë të caktuar me personin Fari Luzha – profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe, në detyrat e punës si mësimdhënës, pa konkurs publik dhe pa përgatitje profesionale.
Sipas pikës 2 i akuzuari më 23 shtator 214 si person zyrtar, në të njëjtën pozitë, ka lidhur kontratë pune për kohë të pacaktuar me Arjana Deari – psikologe e diplomuar, në detyrat e punës si mësimdhënëse e mësimit klasor me klasë të kombinuara në SHFMU “Dituria” në fshatin Ivajë, Komuna e Kaçanikut, pa konkurs publik dhe pa përgatitje profesionale.