DREJTORI GJENERAL DHE DREJTORI PËR FURNIZIM DHE SHITJE TË NDËRMARRJES “TREPÇA” NË VERI, NUK E PRANOJNË FAJËSINË
Raporton: Valdet HAJDINI
Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të mërkurën, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Jovan Dinkiq, Drejtor Gjeneral i Ndërmarrjes “Trepça” në veri dhe Dejan Kërstiq, Drejtor për Furnizim dhe Shitje i Ndërmarrjes “Trepça”, në veri, të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit dhe lidhje e kontratës së dëmshme.
Pasi prokurori Nijazi Rexha e ka lexuar dispozitivin e aktakuzës dhe veprat penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit, gjykatësi Beqir Halili i pyeti të akuzuarit për pranimin ose jo të fajësisë, për veprat penale me të cilat ngarkohen.
I akuzuari Jovan Dinkiq, i cili përfaqësohet nga avokati Lubomir Pantoviq dhe i akuzuari Dejan Kërstiq, i cili përfaqësohet nga avokati Zhivojin Jokanoviq, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Pas kësaj, gjyqtari Beqir Halili i udhëzoi të akuzuarit që në afatin prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës së prokurorisë.