DREJTORESHA E KOMUNËS SË PRISHTINËS, PRANON SE NUK KA RESPEKTUAR VENDIMIN E KËSAJ KOMUNE

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Drejtoresha e Departamentit për Kadastër në Komunën e Prishtinës, e akuzuara Nora Kelmendi, ka pranuar të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë se nuk e ka zbatuar një vendim të Komisionit Disiplinor të kësaj Komune. “Vendimet që vijnë nga niveli i Komunës, duhet të zbatohen nga të gjitha Departamentet e kësaj Komune, mirëpo në këtë rast nuk është zbatu”, tha Kelmendi. Bëhet fjalë për një vendim që ky komision kishte marrë ndaj tre zyrtarëve të sektorit të kadastrit, me anë të së cilit, dy ishin përjashtuar nga puna dhe njëri nga ta ishte suspenduar për një muaj. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i suspenduari nga puna, Rrahim Ramadani, ishte kthyer në punë gjatë kohës së suspendimit edhe pse një gjë e tillë ishte në kundërshtim me vendimin.

Gjatë deklaratës së saj, e akuzuara Kelmendi tha se ajo e kishte kthyer Ramadanin në punë për shkak që ai i ishte lutur që të punonte si vullnetar gjatë kohës sa ka qenë i suspenduar. Sipas saj, udhëheqësja e sektorit të kadastrit, Doruntine Peçani, e kishte njoftuar fillimisht se zyrtari Rrahim Ramadani dëshiron të kthehet në punë si vullnetar. Kelmendi u deklarua që Peçani si një juriste që ishte, e kishte informuar që nuk ka shkelje ligjore nëse do ta pranoni si vullnetar për një muaj Ramadanin, me kusht që ai nuk do të nënshkruaj asnjë dokument. Prandaj, Drejtoresha e Kadastrit ka besuar se nuk ka shkelje ligjore dhe ia ka mundësuar zyrtarit të këtij sektori që të kthehej në punë si vullnetar deri në kohën e kthimit zyrtar të tij në punë. Edhe pse ajo gjatë marrjes në pyetje e pranoj që nuk ishte zbatuar një vendim i tillë, u arsyetua se i ka besuar udhëheqëses e sektorit të kadastrit, Peçanit, që në këtë rast nuk ka shkelje ligjore. Ajo tutje tha që këtë e kishte bërë për shkak që Rrahim Ramadani ishte mbajtësi i vetëm i familjes dhe prindërit e tij ndiheshin të brengosur për këtë suspendim. “Pas bisedës me Doruntinën, unë i kam dërgu Rrahimit SMS në viber dhe i kam thënë që nga dita e nesërme mund të vijë të na ndihmoj. Arsyeja ka qenë sepse prindërit e tij kanë qenë në merak unë i kam thënë  që më vjen keq prej prindërve të tu eja në punë nesër”, tha Kelmendi.

E për mbrojtësin e të akuzuarës Kelmendi, avokatin Bajram Tmava, kjo aktakuzë ishte absurde. Kjo për shkak që sipas tij, aktakuza e prokurorisë nuk përmban asnjë element të veprës keqpërdorim i pozitës zyrtare. Ndërkaq, prokurorja në këtë rast, Dulina Hamiti, tha që me anë të provave dhe dëshmitarëve u vërtetua që e akuzuara Nora Kelmendi kishte keqpërdorur detyrën e saj si Drejtoreshë e Kadastrit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë