Drejtoresha e Inspekcionit në Suharekë thotë se bizneset janë vetëdijesuar, nuk ka shkelës të vendimit së Qeverisë

01_03_2018_9157492_suhareke_636x358
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Mars 25, 2020

Suharekë – Drejtoresha e Inspekcionit në Komunën e Suharekës, Jehona Rrafshi-Lumi ka thënë se të gjitha bizneset janë duke e respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të qëndruara të mbyllura, për t’u mbrojtur nga pandemia globale Covid-19.

Ajo ka thënë se në Suharekë nuk ka shkelës të vendimit në fjalë që nga 23 marsi.

Në një prononcim për “Betimi në drejtësi”, Rrafshi-Lumi ka thënë se të gjithë pronarët e bizneseve janë vetëdijesuar, kurse inspektorët e komunës janë në vazhdimësi në terren dhe nuk kanë hasur në shkelës që nga dita e hënë.

Rrafshi-Lumi ka thënë se as nga inspektorët e tregut nuk është vërejtur ngritje të çmimeve të produkteve bazë.

“Betimi në drejtësi” ka kontaktuar edhe Stacionin Policor në Suharekë, gjegjësisht kapitenin Afrim Sylaj, i cili ka theksuar se vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve ka filluar të zbatohet dhe se deri më tani kanë pasur qëllim kryesisht njoftimin e qytetarëve me masën dhe shpërndarjen e fletushkave e kopjes fizike të vendimit.

“Nga qeveria janë marrë edhe disa vendime se cilat biznese kanë të drejtë të lëvizin lirshëm, e ne  do t’i shpërndajmë edhe ato gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Sylaj. /BetimipërDrejtësi