Drejtësia në kohën e koronavirusit, Gjykata e Apelit kryen vetëm lëndë të natyrës urgjente

Gjykata_Apelit-620x275
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Mars 24, 2020

Prishtinë – Pandemia globale e koronavirusit Covid-19, ka bërë që edhe gjykatat në Kosovë të punojnë me staf të reduktuar e të merren vetëm me raste të natyrës urgjente.

Kësisoj, edhe Gjykata e Apelit duke punuar me staf të reduktuar, nga 16 marsi e deri më 24 mars 2020, ka kryer vetëm lëndë të natyrës urgjente, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas zyrtarit për informim të kësaj gjykate, Arbër Jashari, nga 16 deri me 24 mars, kjo gjykatë ka pranuar në punë 62 lëndë ndërsa ka kryer 71 lëndë.

“Në lëmine penale janë pranuar 59 lëndë, që të gjitha masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë(paraburgime, arrest shtëpiak etj.) Janë kryer 69” – thuhet në përgjigjen e Jasharit për “Betimi për Drejtësi”.

Më së shumti lëndë në lëmin penale gjatë kësaj periudhe kohore në Apel, janë pranuar në Departamentin për Krime të Rënda, gjithsej 34, pasuar nga Divizoni Penal ku janë pranuar 22 lëndë si dhe Departamenti Special ku është pranuar tri lëndë.

E sa i përket lëndëve të kryera, Departamenti i Krimeve të Rënda i Apelit, gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer 44 lëndë, Divizioni Penal ka kryer 23 lëndë kurse Departamenti Special gjatë kësaj periudhe ka kryer dy lëndë.

Të gjitha kanë lëndë sipas Jasharit, kanë qenë masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë, duke përfshirë këtu masat e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kohore, Apeli ka pranuar në punë edhe dy lëndë të natyrës urgjente nga lëmia civile, kurse i kryer tri lëndë të tilla përshirë këtu caktimin e një urdhri të mbrojtjes dhe dy masave të sigurisë.

Nga të gjitha këto lëndë të kryera, Apeli vetëm një rast e ka kthyer në rivendosje kurse në të gjitha rastet tjera, ankesat e palëve janë refuzuar.

Ndryshe, Gjykata e Apelit më 16 mars 2020, kishte vendosur që të anulojë të gjitha seancat publike që kishin qenë të paraparë të mbahen në këtë gjykatë, deri në një vendim tjetër.

Një masë të tillë, kjo gjykatë e kishte marr në funksion të parandalimit dhe të mbrojtjes nga pandemia globale, koronavirusi Covid-19.

Një ditë më herët, më 15 mars 2020, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kishtea marr vendim që të reduktojë esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër te KGJK-së dhe të gjitha gjykatave në Kosovë.

Sipas kësaj mase, që ka hyrë në fuqi nga 16 marsi, gjykatat do të kryejnë vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten.

Rastet e para me koronavirusin Covid-19 në Kosovë, ishin identifikuar më 13 mars 2020 kurse deri më 24 mars, numri i të infektuarve me këtë virus ka arritur në 61./BetimipërDrejtësi