Drejtë fundit shqyrtimi gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve rreth tenderit për renovimin e Spitalit në Ferizaj

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj –  Shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve Ejup Elezi dhe Sahit Mecini, të akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit”, si dhe ndaj tre të akuzuarve të tjerë Ismajl Dërguti, Fadil Goga dhe Sami Malsiu të cilët akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare” po shkon drejtë fundit. Të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, palët kanë paraqitur fjalën përfundimtare.

Prokurorja e shtetit Florije Salihu-Shamolli fjalën përfundimtare i’a dorëzoi me shkrim trupit gjykues dhe poashtu të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta, ku deklaroi se pas administrimit të të gjitha provave dhe fakteve prokuroria ka gjetur se ekzistojnë të gjitha elementet e veprave penale me të cilat ngarkohen të pandehurit. Prokurorja deklaroi se me rastin e tenderimit për renovimin e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka pasur shkelje dhe të akuzuarit nuk i janë përmbajtur kontratës. Në këtë rast, sipas prokurores, Spitali nga mos përgjegjësia e këtyre të fundit është dëmtuar në shumën prej 8,852,9 euro. Prokurorja në fund kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj sipas ligjit.

Ndërsa lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar sipas pretendimit të prokurorisë mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Elezi avokati Avni Ibrahimi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sahit Mecini avokati Qerim Zogaj në fjalët përfundimtare, e kundërshtuan prokuroren, duke u mbështetur në atë se eksperti i prokurimit publik Agim Sheqiri i caktuar në këtë çështje, nuk ka arritur t’a konstatojë se është shkaktuar dëm në rastin në fjalë dhe as sa ka qenë shuma e dëmit. Kjo sipas mbrojtësve është elementi qenësor për ekzistimin e veprës penale  me të cilën ngarkohen dy të mbrojturit e tyre. Në mungesë të këtij elementi Ibrahimi dhe Zogaj, duke mbështetur deklaratat e njëri tjetrit, deklaruan se nuk ekziston as vepra penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Po ashtu avokati Avni Ibrahimi theksoi se prova e vetme në të cilën është mbështetur Prokuroria për shkaktimin e dëmit ka qenë raporti i ndërmarrjes “Dinamic Com”, e cila më 21 qershor 2016 është shpallur si provë e papranueshme nga ana e trupit gjykues,të kryesuar nga Ibrahim Idrizi. Andaj, avokatët kërkuan nga trupi gjykues që të mbrojturit e tyre, respektivisht të akuzuarit Ejup Elezi dhe Sahit Mecini të lirohen nga akuza në mungesë të provave.

Ndërkaq tre të pandehurit Ismajl Dërguti, Fadil Goga dhe Sami Malsiu të akuzuar për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, e të cilët gjatë gjithë shqyrtimeve gjyqësore nuk kishin caktuar mbrojtës, në fjalën përfundimtare deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohen dhe se të gjitha detyrat i kanë kryer ashtu siç kanë qenë të përcaktuara. Ata kërkuan nga trupi gjykues që t’i liroj nga akuza dhe t’i shpall të pafajshëm.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 7 shtator 2016 në ora 14:00.

Të pandehurit Ejup Elezi, dhe Sahit Mecini sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit” sepse më 14 tetor 2011 në Ferizaj me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit për personat e tjerë kanë shpërdorur detyrat zyrtare. Sipas aktakuzës, i akuzuari Ejup Elezi në cilësinë e pozitës – shef i prokurimit në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ndërsa i akuzuari Sahit Mecini pronar i ndërmarrjes NTP “Termo Com” kanë përfituar para në vlerë prej tetë mijë (8000) euro duke dëmtuar buxhetin e Spitalit në Ferizaj. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Ejup Elezi ka formuar komisionin prej tre (3) anëtarëve, në përbërje Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti për pranimin e punëve si anëtar të komisionit, të cilët nuk kanë qenë kompetent dhe profesional në këtë lëmi. Të njëjtit kanë qenë zyrtar të këtij institucioni dhe kanë nënshkruar vendimin për pranimin e punëve në të gjitha repartet e Spitalit në Ferizaj lidhur me tenderin për riparimin dhe mirëmbajtjen spitalore. Ata kanë bërë pranimin teknik me vendim nr.017/11 për operatorin ekonomik –fitues i tenderit NTP “Termo Com”, dhe nga ky vlerësim joreal i akuzuari Ejup Elezi ka bërë pagesën operatorit ekonomik të lartë cekur, i cili ka përfituar shumën në vlerë prej 19.926.70 euro. Ndërsa sipas raportit vlerësues me nr. 017/11 vlera reale e punëve të kryera ka qenë 1.073.71 euro me çka kanë dëmtuar buxhetin e Spitalit Rajonal në Ferizaj në shumën prej 8,852,9 euro.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti akuzohen se më 29 shtator 2011 në Spitalin Rajonal në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëve për përfituesin e këtij tenderi në dokumentin zyrtar, në  vendimin për pranimin e punëve, kanë mundësuar përpilimin e këtij vendimi, i cili përmban të dhëna të pavërteta lidhur me punët e kryera në spital. Aty vlerësohet se vlera e punimeve kap shumën prej 19.926.70 euro, kurse vlera reale e punëve të kryera është 11.073.71 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë