Drejt përfundimit procesi i intervistimit të kandidatëve për ngritje në detyrë në Apel, këtë pozitë e synon edhe ish-kryesuesi i KGJK-së

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të hënën pritet të përfundojë  intervistimi  i gjyqtarëve, të cilët kanë kandiduar për ngritje në detyrë në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit.

Në mesin e shumë gjyqtarëve që kanë kandiduar për ngritje në detyre, këtë pozitë po e synon edhe ish-kryesusi i KGJK-së, Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 24 shkurt 2022, KGJK ka shpallur konkursin e brendshëm për tri pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Ky konkurs është organizuar në bazë të Rregullores nr.01/2014 për Procedurën e Ngritjes në Detyrë të Gjyqtarëve (e ndryshuar dhe plotësuar).

Për këto pozita kanë kandiduar 24 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, shtatë prej tyre janë tërhequr nga kjo garë.

Gjyqtarët e mbetur në garë janë intervistuar nga paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidateve, i përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme/kryetar i panelit, Enver Peci, zëvendëskryesuesi i KGJK-së/anëtari i panelit, Qerim Ademaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Drita Rexhaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Teuta Ibrahimi dhe gjyqtari i Gjykatës se Apelit/anëtari i panelit, Afrim Shala.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët deri më tani janë tërhequr nga gara janë Atdhe Berisha, Binak Duqi, Sabedin Mushica, Suzana Çerkini, Adnan Konushevci, Alajdin Tershnjaku, Kymete Kicaj, Mentor Hajraj, Mevlide Kosumi-Qarri dhe Saranda Bogaj, të cilët nuk kanë prezantuar fare në intervistim sipas orarit të përcaktuar nga Paneli Intervistues.

Ndryshe, procesi i intervistimit të gjyqtarëve për ngritje në detyrë kishte filluar më 27 maj 2022. /BetimipërDrejtësi 

Shënim: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar procesin e intervistimit dhe do të vazhdojë ta monitorojë deri në fazën finale.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë