DREJT FUNDIT, RIGJYKIMI I TË AKUZUARVE NË RASTIN E VRASJES SË SKENDER LIMAJT

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është mbajtur shqyrtimi i radhës, ndaj Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqit, të cilët akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë seancë e ka dhënë fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Durim Krasniqi, avokati Durmish Koqinaj, i cili ndër të tjera ka thënë se predha e gjetur në trupin  e të ndjerit Skender Limaj, sipas ekspertit të balistikës, është deformuar dhe nuk mund të përcaktohet se nga cila armë është shkrepur, andaj pretendimi i prokurorisë se i mbrojturi i tij e ka qëlluar të ndjerin nuk mund të vërtetohet. Më tej ka shtuar se të gjithë dëshmitarët në këtë gjykim kanë folur për veprimet e të akuzuarve tjerë, por sipas tij, asnjëri nuk ka folur për veprimet  e Durimit Krasniqit, e të cilët janë shprehur se as nuk e kanë parë atë në vend të ngjarjes.

Poashtu ka theksuar se Durim Krasniqi, me vullnetin e tij e ka dorëzuar armën automatike në polici, që bie në kundërshtim me idenë se ka bërë një vepër të tillë me të cilën ngarkohet sepse atëherë do të kishte vepruar ashtu si veprojnë të gjithë në këto raste, duke e fshehur armën e krimit, andaj ka kërkuar nga trupi gjykues që të respektojë parimin “In dubio pro reo”, që dyshimi të shkojë në të mirë të të akuzuarit dhe të njëjtin ta shpallë të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Mbrojtësi i të akuzuarit Berat Krasniqi, avokati Rexhep Hasani, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë gëzhoja të armëve me kalibër të ndryshëm si 5 armë automatike, një armë e gjatë dhe shumë armë brezi, nga këto gëzhoja dy kanë qenë të dalura nga arma e dorëzuar nga i mbrojturi i tij, gjë që nuk është kontestuese sepse edhe ai vetë e ka sqaruar, por prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se plumbat e shkrepur nga arma e Berat Krasniqit, u kanë shkaktuar plagë Azem e Ilir Limajt, me këtë rast ka bërë një krahasim duke thënë “sikur me ja qëllu se kur luan Benfika, a fiton Barcelona apo Reali”, ka shtuar se organi i akuzës nuk ka arritur që të dëshmojë se cila armë, cilën plagë, e ka shkaktuar, andaj ka kërkuar që dyshimi të shkojë në të mirë të klientit të tij dhe i njëjti të lirohet nga akuza.

Mbrojtësja e të akuzuarit Hazir Krasniqi, avokate Florije Drevinja në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se mbështet fjalët e avokatëve paraprak, duke shtuar se përshkrimin faktik për të akuzuarin e saj, Prokuroria Speciale e ka përmbledhur në një rresht e gjysh, kinse ka shkuar për t’i ndihmuar të akuzuarit tjerë duke i bartur me automjet dhe duke bërë roje, ka shtuar se në fjalën përfundimtare të prokurorit ka gjetur se aty ka shtrembërim të dëshmive dhe se ai ka marrë vetëm dëshmitë që kanë shkuar në të mirë të akuzës.

Më tej ka shtua se motivi i nxjerrë nga organi i akuzës se kinse është përleshja në mes Hazir Krasniqit dhe Behlul Limajt në zgjedhjet e Dhjetorit 2010, sipas saj nuk qëndron sepse duke ju referuar një deklarate në polici të Hazir Krasniqi, ai ka deklaruar se ka problem me Vesel Krasniqin e jo me Behlul Limajn dhe poashtu Behlul Limaj, në deklaratat e tij para policisë e prokurorisë ka deklaruar se nuk ka pasur problem me Hazir Krasniqin andaj ky motiv nuk qëndron, poashtu ka theksuar se nuk ka prova se ka pasur plan për të vrarë Skender Limajn, por sipas saj, incidenti kishte ndodhur spontanisht dhe i nxitur nga familja Limaj të cilat sipas saj edhe e kishin demoluar vendin e krimit për të fshehur provat.

Kryetari i trupit gjykues, Piotr Bojarczuk ka njoftuar se nuk do të merren fjalët përfundimtare nga të akuzuarit në këtë seancë sepse sipas tij ata duhet të pajisen me të gjithë procesverbalët nga shqyrtimet gjyqësore dhe dokumentet e rëndësishme në këtë rast, të përkthyer në gjuhën shqipe, në mënyrë që të kenë armë të barabarta për të përgatitur fjalën e tyre përfundimtare, andaj shqyrtimin e ka ndërprerë dhe të njëjtin e ka caktuar me datën 21.04.2016, në ora 10:00.

Në qershorin e vitit 2011, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqi,  të cilët i akuzon se me datën 01.01.2011 rreth orës 19:40, kanë shkuar në restorantin “Kështjella” në të cilën kanë shkëmbyer të shtëna me familjen Limaj, duke plagosur Azem e Ilir Limajn dhe duke vrarë Skender Limajn, me të cilat veprime kanë kryer veprat penale të vrasjes së rëndë, të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore dhe armëmbajtjes pa leje.

Më 21 Mars 2012 kishte nisur gjykimi i të pandehurve në Gjykatën e Qarkut në Prizren ndërsa me 23 Gusht 2013 një panel i përzier prej dy gjyqtarëve të Eulex-it dhe një vendori, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit me një dënim prej gjithsej 35 vitesh burgim.

Më 24 Tetor 2013, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer në rivendosje, ndërsa më 6 Shkurt 2014 ka filluar ri-gjykimi me panel të përzier prej dy gjyqtarëve të Eulex-it dhe një gjyqtari vendor.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë