DREJT FUNDIT GJYKIMI PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS I DREJTORIT TË SHKOLLËS NË FSHATIN KRALAN TË GJAKOVËS

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjakovë – Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, u dha fjala përfundimtare për Ukë Ahmetin, Drejtor në Shkollën e Mesme të Ulët “Hazir Rama” në fshatin Kralan, i akuzuar për veprën penal “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i shtetit Ali Uka, në fjalën e tij përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës. Ai shtoi se në bazë të shkresave të lëndës, provave dhe dëshmitarëve del se i akuzuari Ukë Ahmeti e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet dhe se i njëjti duke qenë drejtor i shkollës, ia ka mohuar të drejtën e punësimit Gani Kelmendit si mësimdhënës, duke e punësuar një person tjetër në këtë pozitë në mënyrë kundërligjore. Për këto arsye, prokurori i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarin Ahmeti ta shpallë fajtor dhe të njëjtin ta obligoj t’i paguaj shpenzimet e gjykatës.

Gani Kelmendi, i cili pretendon se i është bërë e padrejtë në rastin e mospranimit në punë si mësimdhënës, tha se qëndron prapa fjalës përfundimtare të prokurorit. Ai tha se, nëse nuk je person i përshtatshëm për Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë (DKA) nuk mund të hysh në punë. “Dëshmitarja Afijete Boshnjaku, punonjëse në DKA, gjatë dëshmisë së saj ka thënë se unë paskam qenë i pa përshtatshëm, pra duhesh me qenë person i përshtatshëm për DKA-në për të hyrë në punë, edhe nëse nuk je i kualifikuar për atë pozitë”, tha i dëmtuari Kelmendi. Tutje ai shtoi se pasi që ka ndodhur rasti, gjatë një bisede verbale me drejtorin e shkollës, tani të akuzuarin Ukë Ahmetin, i kishte thënë se nëse tërhiqesh këtë herë, vitin e ardhshëm ai do të vendos a do të hysh në punë apo jo, sepse sipas tij, për këtë shkollë ai vendos se kush do të punësohet e kush jo.

Mbrojtja e të akuzuarit Ukë Ahmeti, avokati Meshari Selimaj, tha se kjo aktakuzë ka shumë mangësi dhe si e tillë është thuajse e pavlefshme. “Klienti im akuzohet se nuk e ka kryer punën e tij si drejtor, duke mos e nënshkruar procesverbalin për pranimin në punë tani të dëmtuarin Gani Kelmendi, por asnjë rregullore nuk thotë se drejtori duhet ta nënshkruaj dhe se pjesëmarrja e tij në komision për vlerësim nuk është e obliguar por vullnetare”, tha avokati Selimaj.

Selimaj gjithashtu shtoi se prokuroria po ndikohet politikisht në ngritjen e aktakuzave, dhe se sa herë që bëhet ndërrimi i pushtetit, ndodhin këso “persekutimesh”. “Nuk është hera e parë që Prokuroria Themelore në Gjakovë, për interesa të politikës, ngritë këso aktakuza për eliminimin e personave të padëshirueshëm për ta”, tha avokati Selimaj.

Në fund të vitit 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ukë Ahmeti, me të cilën e akuzon se nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke qenë Drejtor në Shkollën e Mesme të Ulët “Hazir Rama” në fshatin Kralan, nuk ia ka nënshkruar kontratën një mësuesit të matematikës, i cili ishte përzgjedhur si mësimdhënës sipas konkursit, me arsye se nuk e duan fshatarët dhe ia ka vazhduar kontratën mësuesit që kishte qenë deri në atë kohë, i cili nuk kishte kaluar nëpër konkurs, me këtë rast, sipas organit të akuzës, ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Ukë Ahmeti do të bëhet më 7 korrik 2016, në ora 15:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë