Drejt fundit gjykimi ndaj zyrtarëve të KEDS-it për marrje ryshfeti
Raporton: Valdet HAJDINI
Prishtinë – Para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtarja Shadije Gërguri, ka vazhduar gjykimi ndaj zyrtarëve të KEDS-it, Muharrem Havolli, Halim Asllani, Ilir Hajdini dhe Fatmir Medeci, që të gjithë të akuzuar për veprën penale ‘marrje e ryshfetit’.
Nga seanca e kaluar kishte mbetur të vazhdoi me mbrojtjen e vet i akuzuari Fatmir Medeci, i cili deklaroi se në ditën kur është ndaluar nga policia, i janë konfiskuar gjësendet individuale. “Atë ditë më është konfiskuar edhe kuleta, në të cilën kam pasur 700 euro nga shitja e veturës”, tha i akuzuari Medeci.
Pas përfundimit të mbrojtjes nga i akzuauri Medevci, seanca vazhdoi me fjalët përfundimtare të palëve.
Prokurorja e shtetit Merrushe Llugiqi deklaroi se pas seancave gjyqësore, administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se të akuzuarit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale si në aktakuzë. Prokurorja Llugiqi kërkoi nga trupi gjykues që gjatë marrjes së vendimit, të akuzuarit t’i shpallë fajtor dhe t’i dënoi sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Havolli, avokati Behar Ejupi deklaroi se prokuroria nuk ka siguruar prova bindëse, për të dëshmuar kryerjen e veprimeve të kundërligjshme nga i mbrojturi i tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Halim Asllani, avokati Afrim Salihu deklaroi se edhe pas shtjellimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, nuk janë vërtetuar pretendimet e prokurores për kryerjen e veprës penale si në aktakuzë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Hajdini, avokati Arsim Bilalli deklaroi se prokuroria nuk ka arritur të vërtetoi kryerjen e veprës penale, ndërsa në mungesë të provave trupi gjykues të marr aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Medeci, avokati Ali Latifi në fjalën përfundimtare deklaroi se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale, duke kërkuar nga trupi gjykues që të marr aktgjykim lirues.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të shpallet me 14 shtator 2016, në ora 13.00.
Ky rast po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ngarkon Muharrem Havolli, Halim Asllani, Ilir Hajdini dhe Fatmir Medeci me veprën penale ‘marrje e ryshfetit’. Sipas pretendimit të prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se në cilësinë e personave zyrtar si kontrollues në shërbimin e humbjeve komerciale në KEDS, kanë kërkuar shumën prej 600 eurove nga i dëmtuari Liman Alshiqi, me arsyetimin e ndërrimit të njehsorit elektrik.