DREJT FUNDIT GJYKIMI NDAJ PRONARIT TË KOLEGJIT “FAMA”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, tw mwrkurwn, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarëve Selal Ahmetxhekaj dhe Rraif Haliti për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhe ndaj Xhavit Shabanit dhe Milazim Bytyqit për veprën penale të mashtrimit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Selal Ahmetxhekaj, avokati Hazër Susuri, ka deklaruar se në mungesë të të akuzuarit Milazim Bytyqi, i cili sipas raportit policor ka ndërruar vendbanim dhe gjendet në Turqi, të bëhet veçimi i lëndës për këtë të akuzuar dhe të vazhdohet me të akuzuarit e tjerë sepse kjo lëndë është duke u zvarritur qe gjashte vite.

Me këtë rast edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Shabani, avokati Skender Morina, ka kërkuar që të veçohet procedura edhe për të mbrojturin  e tij, i cili ishte i pranishëm në sallë, me arsye se veprimet e të akuzuarit Milazim Bytyqi janë të ndërlidhura me veprimet e të mbrojturit të tij, të cilët akuzohen në bashkëkryerje për veprën penale të mashtrimit, andaj sipas tij, nuk mund të veçohet procedura vetëm për njërin.

Trupi gjykues, ka pranuar propozimet e mbrojtësve dhe ka vendosur që procedura ndaj të akuzuarve Milazim Bytyqi dhe Xhavit Shabani të veçohet dhe ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Selal Ahmetxhekajt dhe Rraif Halitit, me ç’rast është marrë në pyetje i akuzuari Rraif Haliti.

I akuzuari Rraif Haliti, para trupit gjykues, ndër të tjera, ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është i angazhuar me ndonjë kontratë të punës në kuadër të Universitetit “FAMA”, por se pronarin e saj, Selalin, e ka shok të ngushtë. Më tej ka shtuar se kishte qenë prezent në momentin kur ishte nënshkruar kontrata dhe ishte vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prizren,  në mes Selal Ahmetxhekaj, si blerës dhe Lulzim Kabashit, si pronar i parcelës, sipas tij një muaj para vërtetimit të kontratës në gjykatë,  të hollat prej 200 mijë euro ishin transferuar në xhirollogarinë e pronarit, ndërsa pesë muaj pas vërtetimit të kontratës, ai ishte paraqitur për të thënë se nuk i janë dhënë nga Xhavit Shabani pjesa e parave që blerësi ia kishte dhënë të  njëjtit, në bazë të rolit të tij si ndërmjetësues në këtë blerje.

Më tej ka theksuar se marrëveshja është bërë me kontratë të përpiluar nga pronari i parcelës, Lulzim Kabashi për shumën 200 mijë euro, ndërsa për shumën tjetër që pretendohet prej 215 mijë euro, nuk ka pasur kontratë, por me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës, pronari është munduar që të prishë kontratën e mëparshme me qëllim të përfitimit të një shume më të madhe për atë parcelë.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, me kërkesën e palëve mbrojtëse dhe prokurorit, për një afat kohor, me qëllim të përgatitjes së fjalëve përfundimtare, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 01.04.2016, në ora 14:00.

Organi i akuzës, të pandehurit Salal Ahmetxhekaj, pronar i Kolegjit Universitar “Fama” dhe Raif Halili, përfaqësues i Kolegjin Universitar “Fama”, i akuzon se gjatë muajit prill-maj 2008, në bashkëveprim si persona zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin dhe me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që me rastin e shitblerjes së një paluajtshmërie në mes tyre dhe Lulzim Kabashit si pronar, shumën e të hollave prej 215.000,00 euro, nuk ia kanë paguar atij, por këto mjete i kanë derdhur në xhirollogarinë e të pandehurit Xhavit Shabani si ndërmjetësues në këtë shitblerje edhe pse i njëjti nuk kanë pasur autorizim nga shitësi Lulzim Kabashit, për bartje të mjeteve.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë