DREJT FUNDIT GJYKIMI NDAJ NEXHAT ÇOÇAJT, BEKIM THAQIT DHE BEDRI ÇEKUT

Raporton: Diana BERISHA

Prizren – Tre të akuzuarit për kepërdorime me manifestimin “Remzi Ademaj”, janë marrë në pyetje në seancën e 6 majit. Nexhat Çoçaj gjatë mbrojtjes së tij, deklaroi para trupit gjykues që gjatë kohës kur ai ishte udhëheqës i manifestimit “Remzi Ademaj”, të gjitha shpenzimet ishin të mbuluara nga komuna. Sipas tij derdhja e mjeteve është bërë dy muaj pas fillimit të pregaditjeve të manifestimit e më pas këto shpenzime gjithmonë janë arsyetuar me fatura dhe me raport, përkitazi me atë se çka është kërkuar.

Tutje ai bëri të ditur se raportet i ka dorëzuar gjithmonë në Departamentin e Thesarit në Drejtorinë Komunale të Financave, ku gjithmonë në përfundim është mbledhur këshilli organizativ dhe ka diskutuar rreth detajeve të manifesimit. Çoçaj shtoi se më pas bashkarisht kanë përpiluar raportin dhe varësisht kush ka qenë kryetar i këshillit e ka nënshkruar dhe dorëzuar tek të gjithë antarët e komisionit. Për veprimtarinë e ndërmarrjës private “Pjetër Bogdani” ku bashkethemelues janë Besim Muhadri dhe Çoçaj, i njëjti tregoi se kjo ndërmarrje botuese është e specializuar për botimin e librave, revistave dhe organizimin e trajnimeve në fusha të ndryshme kulturore. Ai shtoi se meqë gjatë panairit të organizuar gjatë javës “Remzi Ademaj”, nuk ka pasur fatura për shkak të zbritjes, faturimi gjithmonë është bërë përmes ndërmarrjes “Pjetër Bogdani” në mënyrë që të arsyetohet blerja e librave. Çoçaj tha se arsyeja pse është zgjedhur kjo ndërrmarje është shkaku se të gjitha shtëpitë e tjera botuese gjithmonë kanë kërkuar 20% të fitimit në rast të faturimit. Ndërsa për lejimin e mjeteve ai tha se çdo herë ka bërë kërkesën duke theksuar subvencione, përderisa shpallja e tenderit ka qenë kompetencë e Zyrës së Prokurimit. Çoçaj tutje theksoi se tërheqjen e parave nga xhirollogaria gjithmonë kanë mundur ta bëjnë vetëm kryetarët e këshillit organizativ dhe se të gjitha shpenzimet e manifestimit janë hargjuar në mënyrë të koordinuar dhe transparente me 50 antarë të këshillit organizativ.

Pas mbrojtjes së Cocajt, shqyrtimi vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Bekim Thaqi, i cili deklaroi se mjetet të cilat janë alokuar nga ana e buxhetit të Komunës së Prizrenit për manifestimin e kësaj jave për vitin 2010 dhe 2011m janë transferuar në xhirrollogarinë e tij, ku brenda asaj periudhe i njëjti ishte kryetar i këshillit organizativ. Ai bëri të ditur se mjetet e derdhura në llogarinë e tij kanë qenë të ndara në dy këste, të cilat më pas janë transferuar në llogari të Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit Nexhat Çoçaj. Thaqi gjithashtu shtoi se gjithmonë është konsultuar me Çoçajn edhe pse ky i fundit nuk ka qenë pjesë e këshillit organizativ. Tutje ai tha se gjatë kohës kur ka qenë kryetar i këshillit organizativ janë paguar libra nga shtëpia botuese Bogdani.  Thaqi theksoi se të gjitha shpenzimet për këtë manifestim, në kohën kur ishte kryetar i këshillit janë bartur prej Kuvendit Komunal, mirëpo ai tha se nuk ka ekzistuar asnjë autorizim me të cilin mjetet janë bartur në xhirollogarinë e Çoçajt, përderisa të gjitha punët dhe përgjegjësitë janë menaxhuar në mënyrë të përbashkët në mes të Thaqit dhe Çoçajt.

Në vazhdim të seancës gjyqësore Bedri Çeku deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i këshillit organizativ, përgjegjësitë e tij ishin organizimi i aktiviteteve të manifestimit, sigurimi i dhuratave si dhe shpërblime të shumta të cilat ishin të organizuara në bashkëpunim më të gjithë përfaqësuesit e shkollave. Më pas ai shtoi se shumën e 10 mijë eurove të lejuara për këtë manifestim, janë shpenzuar për shpërbilme të ndryshme të parapara me këshillin organizativ.  Çeku tha se tejkalim të kësaj shume mundet të konsiderohet vetëm sponzorizimi me anë të së cilëve janë mbuluar mjetet e lëshuara me fatura adekuate. Sa i përket raportit me Çoçajn, Çeku tha ai gjithmonë ka qenë anëtar i ngushtë i këshillit organizativ edhe përderisa ishte drejtor i Drejtorisë së Arsimit. Në fund i pandehuri Çeku tha se nuk qëndron pran deklaratës së dhënë në Prokurori por pran deklaratës së dhënë në këtë shqyrtim gjyqësor.

Shqyrtimi i radhës do të vazhdoj me 16 qershor, në ora 13:30.

Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren me anë të së cilës pretendohet se tre të akuzuarit në bashkëpunim kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës, të njejtët duke qenë përgjegjës për manifestimin “Remzi Ademaj”, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, me të cilat veprime, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit. Nexhat Çoçaj, akuzohet se duke qenë kryetar i Këshillit Organizativ ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës ishte vet ai, dhe kishte tërhequr para nga xhirollogaria pa u ditur destinacioni dhe e kishte tejkaluar buxhetin e lejuar për këtë manifestim, në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë