DREJT FUNDIT GJYKIMI NDAJ MOTRAVE TË AKUZUARA PËR KORRUPSION 700 EURO

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarave Myvedete Gavazaj dhe Shpresa Hasani-Kryeziu, të cilat akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit, dëm prej 700 Euro.

Në këtë seancë ka dëshmuar Sabir Rahmanaj, profesor në Shkollën e Mesme të Lartë “Ymer Prizreni” në Prizren. Në dëshminë  e tij, ndër të tjera Rahmanaj tha  se sipas shënimeve në ditar, shumica e orëve nga lënda ”Gjuhë dhe Komunikim” janë mbajtur, por për shkak të natyrës së punës që organizohet në lëndën “Firma Ushtrimore” pjesë e së cilës është edhe lënda “Gjuhë dhe Komunikim”, ndodh që orët të shënohen me vonesë. Më tej ka shtuar se në bazë të përvojës së tij në arsim dhe mësimet që i ka marrë nga profesorët e tjerë me përvojë më të madhe, një orë mësimore të mbajtur e quan nëse në rubrikën e shënimit të orëve në ditar shkruan numri rendor dhe nënshkrimi i profesorit, pa marrë parasysh nëse aty është shënuar se çka është ligjëruar.

Pasi që janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët e propozuar, trupi gjykues ka vazhduar me leximin e provave materiale dhe ka lexuar vërejtjen e shqiptuar nga drejtoria e shkollës për të akuzuarën Shpresa Hasani-Kryeziu, orari për orët plotësuese të mbajtura sipas rekomandimit të Inspekcionit të Arsimit, procesverbali i inspektimit, njoftimi i mësimdhënësve të pakënaqur të SHMEL “ Ymer Prizreni” në Prizren.

Në këtë seancë ka filluar të merret në pyetje edhe e akuzuara Myvedete Gavazaj, e cila tha se nuk e ka ditur se orët në lëndën “Gjuhë dhe Komunikim” nuk po mbahen deri në momentin kur është paraqitur në shkollë Inspektorati i Arsimit. Tha se nuk ka mundur ta dijë pa u mbajtur mbledhja e këshillit të shkollës. Më tej ka shtuar se orët i ndajnë profesorët e të njëjtës lëndë dhe pastaj për plotësimin e normës së ligjërimit prej 20 orësh, i ndahen orë tjera plotësuese ku pastaj paguhen në bazë të orëve që kanë të caktuar. Poashtu ka theksuar se nëse një profesor bën mungesa të paarsyeshme për një kohë të caktuar, njoftohet Drejtoria Komunale e Arsimit për mosdhënien e rrogës.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 30 mars 2016, në ora 10:00, ku pritet të marrë fund ky gjykim, në të cilin do të vazhdojë mbrojtjen e saj Myvedete Gavazaj dhe të merret në pyetje e akuzuara tjetër Shpresa Hasani-Kryeziu.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë