DREJT FUNDIT GJYKIMI NDAJ KOMISIONIT INTERVISTUES TË DKA-SË NË MALISHEVË

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të enjten, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Halim Hotit, Hanë Bytyqit dhe Nazmi Zogajt, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Qendra e Kompetencës” në Malishevë.

Në këtë seancë i akuzuari Halim Hoti në mbrojtjen e tij, ndër të tjera, tha se komisionin intervistues e ka formuar drejtori i DKA-së, në Malishevë dhe se ai as nuk e punëson as nuk largon ndokënd  nga puna, më tej ka shtuar se në konkursin, që është objekt i shqyrtimit në aktakuzë, kanë marrë pjesë mbi 400 vetëm për shkollën “Qendra e Kompetencës” dhe intervistimi kishte zgjatur dy ditë, kriteret e punësimit kanë qenë, diploma Master dhe Bachelor me 240 kredi ndërsa ata pa master dhe me 180 kredi nuk janë pranuar. Më tej ka theksuar se të dëmtuarit nuk janë pranuar në punë me këtë konkurs sepse kanë pasur diploma bachelor me 180 kredi, më pas ka treguar se kjo shkollë ka kaluar nën kompetencë të MASHT-it dhe pastaj ata janë marrë me punësimin e profesorëve në këtë shkollë profesionale. Në fund ka cekur se ata vetëm kanë bërë poentimin dhe nuk kanë mundur të ndikojnë në përzgjedhjen e kandidatëve dhe në çdo rast DKA-ja mundet të pranojë kënd të dojë nga ajo listë, mundet të refuzojë listën në tërësi dhe të rishpallë konkursin.

E akuzuara Hana Bytyqi, në mbrojtjen e saj, në mes tjerash, ka deklaruar se ajo është përzgjedhur nga drejtori i DKA-së në Malishevë, Blerim Thaqi, për të qenë në panelin intervistues për konkursin në fjalë, më tej ka theksuar se ata si komision intervistues nuk kanë punësuar dhe nuk kanë larguar askënd nga puna, por puna e saj dhe e tërë panelit, sipas saj ka qenë vetëm intervistimi, poentimi dhe mbledhja e pikëve, pastaj ato pikë janë dërguar në DKA, me ç’rast edhe ka marrë fund puna e tyre.

I akuzuari Nazmi Zogaj në mbrojtjen e tij, ndër të tjera, ka thënë se gjatë kohës kur është shpallur konkursi për këta profesorë, ai ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të shkollës “Qendra e Kompetencës” dhe automatikisht ka qenë i zgjedhur në komisionin intervistues, si anëtarë ka bërë pyetjet e tij dhe i ka poentuar kandidatët, të cilat pikë më pas i ka dërguar në DKA, ka treguar se nuk ka kompetencë për të marrë apo për të larguar dikë nga puna por se këtë të drejtë e ka vetëm DKA-ja, profesorët e pakënaqur sipas tij nuk kanë bërë ankesë me rastin e shpalljes së vendit të punës së tyre, më tej ka theksuar se ai nuk ka kërkuar që të shpallen këto vende pune dhe as nuk e ka njoftuar DKA-në se ka nevojë për punëtorë apo që punëtorët i ka pa kualifikime të mjaftueshme për të dhënë mësim, ai ka treguar se vet drejtoria e arsimit ka vendosur për shpalljen e konkursit për vendin e punës së këtyre profesorëve.

Kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani, me kërkesë të mbrojtjes, të cilët kanë kërkuar kohë për të përgatitur fjalën e tyre përfundimtare, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 20 prill 2016, në ora 09:00.

Në vitin 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Halim Hoti, Hana Bytyqi dhe Nazim Zogaj, të cilët i akuzon se duke qenë në komisionin intervistues më rastin e përzgjedhjes së mësimdhënësve për shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës”, me qëllim të përfitimit të tjetrit dhe dëmtimit të tjetrit, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke mos i zgjedhur kandidatët me kualifikimet e duhura por ata pa kualifikime, me ç’rast mësimdhënës me përvojë, kanë humbur vendin e punës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë