DREJT FUNDIT GJYKIMI NDAJ ISH-DREJTORIT TË SPITALIT RAJONAL NË PRIZREN

Raporton: Diana BERISHA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-Drejtorit të Spitalit Rajonal në Prizren, Myzafer Kalenderi, i akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare. Në këtë seancë u procedua me administrimin e provave të ofruara nga ana e mbrojtjes.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore në Prizren, i pandehuri Myzafer Kalenderi ngarkohet për shpërdorim të pozitës zyrtare, pasi që i njëjti gjatë periudhës kohore maj – dhjetor 2012, në cilësinë e Drejtorit të Spitalit Rajonal “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren ka tejkaluar kompetencat e veta me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të personave tjerë, ku pa shpallur konkurs ka marrë vendim për pranimin në punë të Albina Milaimit, të cilës i ka mundësuar punësimin në Departamentin për nëna dhe fëmijë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Tutje ka pranuar edhe Selvete Thaqin në repartin akusherik të të njëjtit Departament, me ç’rast e ka shkelur rëndë Ligjin e Punës së Republikës së Kosovës, ndërsa këtyre dy të punësuarave i ka sjellë dobi të kundërligjshme në vlerën e të ardhurave personale të paguara.

Shqyrtimi i së premtes ka vazhduar me administrimin e provave, ku përveq provave prezente, përfaqësuesja e të pandehurit Myzafer Kalenderi, avokatja Myrvete Qollaku i propozoi Gjykatës që të shtohen si prova materiale raportet e auditimit dhe te Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Përfaqësuesja Qollaku gjithashtu propozoi që të ftohet eksperti për t’a elaboruar se lidhur me cilin ligj është punuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, prova këto me anë të së cilave do të konkretizoheshin veprimet e të pandehurit. I njëjti propozim u refuzua nga Gjykata, me arsyetimin se provat të cilat janë administruar janë të mjaftueshme.

Tutje, procesi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të të pandehurit, i cili deklaroi se në Spitalin Rajonal të Prizrenit ka punuar prej vitit 2002 e deri në vitin 2012. Kalenderi tha se leja për hapjen e konkursit është lëshuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ku më pas shpalljen e rekrutimit e ka bërë administrata e Spitalit Rajonal të Prizrenit e cila shpallje është zbatuar konform akteve ligjore dhe nënligjore në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civil. Po ashtu theksoi se gjatë periudhës kur ai ka qenë drejtor, të gjitha kontratat e punëtorëve në Spital kanë qenë kontrata të përkohshme, varësisht prej performancës së puntorëve. Këto kontrata janë bazuar në rregulloren e UNMIK-ut 2001/36 si dhe në urdhëresen administrative 2003/02.

Më pas Kalenderi bëri të ditur se pas vitit 2013 në vend të Ligjit të Shërbyesëve Civil ka filluar të zbatohet Ligji i Punës, ku karakteri i kontratave ka ndryshuar. Vlerësimin e performancave të të punësuarëve për kontratat të cilat janë lëshuar në bazë të dispozitave të Ligjit të Punës e kanë kryer personat përgjegjës të Ministrive, apo reparteve ku kanë punuar puntorët, ku shumica e puntorëve kanë marrë kontrata të përhershme. Ai deklaroi se në këtë grup të punëtorëve të cilët kanë poseduar kontrata të përhershme ka qenë edhe Albina Milaimi, e cila ka treguar performancë të mirë gjatë punës së saj, dhe për të është dhënë pëlqimi që t’i vazhdohet kontrata e mardhënies së punës si kontratë e përhershme, ndërsa për Selvete Thaqin, i pandehuri theksoi se ajo është pranuar në afat të pa caktuar, afat ky të cilin e lejon si Ligji i punës ashtu edhe Ligji i shërbyesëve Civil, ku tutje ajo është pranuar pa konkurs me kërkesë të shefit dhe motrës së repartit të Gjinekologjisë.

Kalenderi gjithashtu deklaroi se në kohën kur ai ka qenë drejtor i Spitalit, kontratat e punës i ka përgaditur shërbimi i personelit dhe zyrja ligjore e Spitalit Rajonal në Prizren, kurse rregulloret i ka nënshkuar ai. Kalenderi gjithashtu shtoi se lista e pritjes është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe se kjo gjë nuk ka qenë risi për Spitalin e Prizrenit, pasi që e njëjta është përdorur në të gjitha spitalet përfshirë edhe QKUK-në. Afati i kësaj liste ka qenë një vit prej datës së shpalljes së konkursit.

Gjykata caktoi shqyrtimin e radhës në të cilen do të mbahet fjala përfundimtare me shtatë prill në ora 09:00.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë