DREJT FUNDIT GJYKIMI KUNDËR MËSIMDHËNËSVE TË MALISHEVËS

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë–  Shqyrtimi gjyqësor kundër të akuzuarve Halim Hoti, Hanë Bytyqi dhe Nazmi Zogaj, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, ka arritur në fazën e fundin. Në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, palët pjesmarrëse në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurori i çështjes, Agron Matjani, ka ngelur në tërësi pranë aktakuzës së ngritur,  duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve, me padyshim është vërtetuar gjendja faktike se të akuzuarve. Më këtë rast, prokurori këkron që të njejtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në bazë të ligjit.
Fjalën e tij e mbështën edhe të dëmtuarit në këtë rast, sipas të cilëve ata padrejtësisht nuk janë pranuar në punë, me arsye se kinse nuk i kanë përmbushur kriteret që të kenë diplomë Bachelor, me 240 kredi dhe se janë të diplomuar me sistem 3 vjeçar, me 180 kredi. Të njëjtit kanë kanë theksuar se në formularët e tyre nuk janë poentuar në të gjitha rubrikat, fakt ky i cili është evidentuar edhe nga inspektorati i arsimit për çka edhe është anuluar konkursi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Halim Hoti, avokati Ramadan Paçarizi, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me asnjë provë të prezantuar nga prokuroria nuk është vërtetuar përgjegjësia penale e të mbrojturit të tij. Sipas tij, ato prova kanë të bëjnë me veprimet që i ka bërë Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Malishevë, dhe se i mbrojturi i tij nuk e ka pranuar e as nuk e ka larguar askënd nga puna. I njëjti ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza. Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarës, Hanë Bytyqi, avokati Emrush Kastrati, theksuar se e mbrojtura e tij vetëm ka bërë poentimin sipas bindjes  e saj dhe ato poena i kanë dërguar në DKA, ku edhe ëshrë bërë mbledhja e poenave nga tre anëtarët dhe është bërë lista e të pranuarve.
Propozimin e dy avokatëve të lartëpërmendur e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nazmi Zogaj, avokati Bekim Kryeziu, sipas të cilit klienti i tij vetëm ka marrë pjesë në komisionin përzgjedhës të caktuar nga DKA-ja dhe nuk ka larguar apo pranuar ndokënd në punë. Madje ai shton se se përgjegjësinë e vërtetë për konkursin e ka drejtori i DKA-së, i cili ka bërë shpalljen e konkursit në fjalë.

Kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani, e ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për datën 22 Prill 2016, në ora 08:30.

Në vitin 2015, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Halim Hoti, Hana Bytyqi dhe Nazim Zogaj, të cilët i akuzon se duke qenë në komisionin intervistues më rastin e përzgjedhjes së mësimdhënësve për shkollën profesionale “Qendra e Kompetencës”, me qëllim të përfitimit të tjetrit dhe dëmtimit të tjetrit, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke mos i zgjedhur kandidatët me kualifikimet e duhura por ata pa kualifikime, me ç’rast mësimdhënës me përvojë, kanë humbur vendin e punës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë