DREJT FUNDIT GJYKIMI KUNDËR KRYETARIT TË MALISHEVËS RAGIP BEGAJ

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Ka vazhduar seanca e shqyrtimit kryesor kundër Ragip Begaj, Kryetar i Komunës së Malishevës, i akuzuar për veprën penale ‘këqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në këtë seancë gjyqësore kanë dëshmuar Blerim Thaçi dhe Mujë Sabitaj, të cilët janë përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës, prokurorit të shtetit dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Në dëshminë e vet, dëshmitari Blerim Thaçi deklaroj se konkursi për Drejtorë të Shkollave Fillore dhe të Mesme është shpallur nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Malishevës, ndërsa konkursi është shpallur nga ai, sa ishte drejtor i asaj drejtorie.

Tutje, dëshmitari Thaçi tha se i dëmtuari në këtë proces gjyqësor, Shemsi Morina, nuk kishte aplikuar për pozitën e Drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ulët “Ganimete Tërbeshi, në fshatin Astrazub.

Në pyetjen e prokurorit special Haki Gecaj, se mbi çfarë baze ligjore është shpallur konkursi, dëshmitari Thaçi tha se konkursi ishte shpallur në bazë të një rekomandimi të Ministrisë së Arsimit, për shpalljen e konkursit për ata drejtorë kontratat e të cilëve nuk janë nënshkruar në bazë të ligjit.

Dëshmitari Mujë Sabitaj, Avokat Publik i Komunës së Malishevës, para trupit gjykues deklaroj se për këtë rast ishte njoftuar nga Menaxheri i Personelit, ku për rastin e kishte njoftuar në atë kohë edhe kryetarin Begaj. Tutje dëshmitari Sabitaj tha se “Kryetari Begaj ka kërkuar të respektohet ligji dhe vendimet e organeve më të larta shtetrore, por ne kemi vendosur që kemi hapsirë për përdorim të mjeteve juridike dhe kemi vazhduar me procedura ligjore”.

Në mbrojtjen e vet, i akuzuari Ragip Begaj deklaroj se pozitën e Kryetarit të Komunës së Malishevës e ushtron që nga nëntori 2013 dhe se asnjëherë nuk ka ndërmarr ndonjë veprim, i cili bie në kundërshtim me dispozitat ligjore.

I akuzuari Begaj para trupit gjykues deklaroj se njihet me të dëmtuarin Shemsi Morina, por që kanë pasur raporte shumë të mira. Në lidhje me shpalljen e konkursit, i akuzuari Begaj tha “konkursin e kemi hapur pas rekomandimit të MASHT-it për hapje të konkursit për të gjithë drejtorët e shkollave, kontratat e të cilëve nuk janë nënshkruar në pajtim me ligjin”. “Në tërësi kemi hapur konkurs për 13 drejtor, ku pjesa dërmuese e tyre janë pranuar përsëri” tha i akuzauri Begaj.

Në pyetjen e prokurorit special Haki Gecaj nëse ka marr pjesë në ndonjë fazë të procedurës së ankimimit të dëmtuarit, i akuzuari tha se asnjëherë nuk ka marr pjesë në asnjë procedurë të ankimimit të Shemsi Morinës, e as që ka ndikuar në marrjen e çfardo vendimi nga organet komunale.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua për datën 13 korrik 2016.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila e ngarkon Ragip Begaj, Kryetarin e Komunës së Malishevës, me pretendimin se gjatë muajve qershor-gusht 2014, ka shpërdorur pozitën zyrtare apo autorizimet, me qëllim që t’i shkaktoj dëm dhe t’ia shkelë të drejtat nga marrëdhënia e punës të dëmtuarit Shemsi Morina. Sipas aktakuzës, edhe përkundër faktit se i dëmtuari Shemsi Morina, kishte kontratë për  punët dhe detyrat e punës Drejtor në SHFMU “Ganimete Tërbeshi”, e vlefshme deri me 1 tetor 2015, ndërsa i pandehuri me dashje dhe me dijeni ka shkelur dispozitat e Ligjit të Punës, duke shpallur konkursin për drejtor të shkollës, kurse të dëmtuarit i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë