DREJT FUNDIT GJYKIMI I POLICIT QË AKUZOHET PËR KEQPËRDORIM PËR SHKAK TË MUNDËSIMIT TË KONTRABANDËS
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të mërkurën, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Xhevahir Gjymshiti, zyrtar policor, i cili akuzohet nga Prokuroria se ka shpërdorur pozitën zyrtare .
Prokurori i rastit Afrim Shefkiu, në fjalën përfundimtare tha se nga seancat e mbajtura në këtë shqyrtim gjyqësor, nga provat materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari Xhevahir Gjymshiti, duke e kryer detyrën e tij, si zyrtar policor, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i mundësuar kontrabanduesve që të kontrabandojnë mallra nga territori i Maqedonisë në territorin e Kosovës, andaj ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Xhevahir Gjymshiti, avokati Ekrem Pira, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me administrimin e provave materiale, nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit të tij andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.
Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, e ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 8 korrik 2016, në ora 15:00.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Xhevahir Gjymshiti, si polic në Policinë e Kosovës, lindje-Kaçanik, Vija e Gjelbër, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat zyrtare në atë mënyrë që me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjell dobi të kundërligjshme pasurore për gjatë vijës kufitare Debellde-Stançiç në më mënyrë të vazhdueshme u ka ndihmuar kontrabanduesve të mallrave që të kontrabandojnë mallra nga territori i Maqedonisë për në Kosovë, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm në celular me ata ashtu që edhe pas implementimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit hetohet dhe zbulohet.