DREJT FUNDIT GJYKIMI I POLICIT I CILI AKUZOHET SE NUK E NDALI VËLLAUN, I CILI PO BARTE DRUNJ ILEGALISHT

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të martën ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Skender Sallahu , zyrtar policor, i cili akuzohet nga Prokuroria se ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Prokurori i rastit Arben Kadriu, në fjalën përfundimtare tha se nga seancat e mbajtura në këtë shqyrtim gjyqësor, dhe nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari  Skender Sallahu, duke kryer detyrën zyrtare si polic, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i mundësuar vozitësve të traktorëve përfitime materiale, ku njëri nga ta ishte vëllai i tij – Naser Sallahu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Skender Sallahu , avokati Ekrem Pira, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, me administrimin e provave materiale, nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit të tij, andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.

Kryetari i trupit gjykues, Afrim Shala, e ka shpallur të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 13 korrik 2016, në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Skender Sallahu, i cili akuzohet se deri sa ishte në detyrë zyrtare si oficer i policisë, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, duke mos ju përgjigjur kërkesës së zyrtarëve të Agjencionit Pyjor të Kosovës, për t’i ndaluar dy persona me traktor, të cilët ishin të ngarkuar me drunj, njërin nga traktorët kishte qenë duke  e vozitur vëllai i të pandehurit Naser Sallahu, të cilët kishin qenë duke lëvizur disa metra para veturës zyrtare të policisë, ku i pandehuri është përgjigjur se traktorët ishin të tij dhe ishin nën përcjelljen e tij. Në këtë mënyrë kishte shpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim që vozitësve të traktorëve tu siguronte përfitime materiale.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë