Do të urdhërohet sjellja me detyrim e dëshmitarit, shtyhet gjykimi ndaj rojës së pyllit për kanosjen e të dëmtuarve me armë zyrtare

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Për shkak se dëshmitari L.S., mungoi pa arsye në seancën e së enjtes, ka dështuar të vazhdojë rigjykimi në rastin ku roja e pyllit në Kamenicë, Rr.G., po akuzohet se pas një mosmarrëveshje me F. e G.S në lidhje me dokumentacionin për transportimin e drunjve, i kanosi ata me armën zyrtare. Ndaj dëshmitarit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Gjykatësja Valbonë Dërvodeli ka njoftuar se dëshmitari L.S. është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata, por mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Dërvodeli seancën e radhës e ka caktuar të mbahet më 12 korrik 2022, ku bëri të ditur se ndaj dëshmitarit L.S.do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ndryshe, më 4 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Kamenicës në mungesë provash e kishte liruar nga akuza Rr.G., por që me ankesë të prokurorisë ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 17 janar 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Rr.G., me arsyetimin se ai në dhjetor të 2016-ës, në kafenenë “Kosova” në Rogaqicë të Kamenicës, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit F. e G.S., në lidhje me dokumentacionin për transportimin e drunjve, fillimisht përmes telefonit dhe pastaj edhe në kafenenë e lartcekur, në prezencën e djemve të axhës së të dëmtuarve, L. e K.S., i kanos ata.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari G., po ashtu u del në rrugë të dëmtuarve, para kamionit në fshatin Muqivercë, ua drejton armën zyrtare gjysmëautomatike të tipit “Arsma” dhe në momentin kur i dëmtuari S. e ndal kamionin, i akuzuari e fut tytën e armës në dritaren e kamionit dhe i kanos të dëmtuarit me fjalët “a e dini që ja u .. n… të katërve, ju vras”, duke u shkaktuar të dëmtuarve frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.

Me këtë, Rr.G. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 185, paragrafi 4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej një deri në pesë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë