Do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj njërit të akuzuar, shtyhet gjykimi për vjedhjen e pjesëve të veturave

Raporton: Samire BINAJ

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, të hënën ka njoftuar se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit Xh.M, i cili së bashku me A.M dhe B.E, po akuzohen se në depon e të dëmtuarit N.M kanë vjedhur pjesë të automjeteve.

Një vendim i tillë, është marrë nga gjykatësi i rastit Gani Kastrati, pasi që i akuzuari Xh.M, mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancë ishte i pranishëm prokurori Ramadan Koro, i dëmtuari N.M si dhe të akuzuarit M. dhe E.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta u shty kurse e radhës u caktua më 14 korrik 2022, ku ndaj të akuzuarit Xh.M, gjyqtari Kastrati njoftoi se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë pranë Stacionit Policor në Mamushë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 4 dhjetor 2019, A.M, B.E dhe Xh.M po akuzohen se më 17 tetor 2019, me forcë kanë demoluar depon e shtëpisë së vjetër të të dëmtuarit N.M.

Sipas aktakuzës, ata kanë vjedhur disa pjesë të automjeteve si: pasqyrat anësore të automjeteve, popmat e ujit të automjeteve, rripat dhëmbëzore, spona e automjetit, dhëmbëzorë të metalit si dhe një tepsi ëmbëlsirë.

Me këto veprime, tre të akuzuarit po ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315, paragraf 1, nënparagraf 1.1 lidhur me nenin 31 të KP-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë