Dita e dytë e bojkotit, dështojnë pesë seanca në Gjykatën e Ferizajt, si dhe dy raste me paraburgim

Ferizaj
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Janar 10, 2019

Ferizaj – Ka hyrë në ditën e dytë bojkoti i avokatëve, ku si pasojë e këtij vendimi, ka vazhduar dështimi i shumë seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit.

Si pasojë e mungesës së avokatëve, gjatë së enjtes, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kanë dështuar pesë seanca gjyqësore si dhe dy të tjera që kanë qenë raste me paraburgim.

Për këtë numër të dështimit të seancave, si shkak i bojkotit të avokatëve, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Albënora Bekteshi-Hoti.

Gjykatësja kujdestare, Hakile Ilazi dhe prokurori kujdestar, Albert Zejnullahu, kanë thënë se po përballen edhe me një problem tjetër shkaku i mungesës së avokatëve, ku po dështojnë të caktojnë masën e paraburgimit.

Për “Betimin për Drejtësi” prokurori Zejnullahu, ka bërë të ditur se asnjë avokat nuk ka punuar edhe sa i përket masës për caktimin e paraburgimit.

Ai ka konfirmuar se kanë dështuar të caktohen dy paraburgime, shkaku i bojkotit të avokatëve.

Ndryshe, edhe të mërkurën kishin dështuar të mbaheshin 15 seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Ferizaj, si pasojë e mungesës së avokatëve.

Shkak i dështimit të këtyre seancave gjyqësore, ishte mungesa e avokatëve përfaqësues, të cilët tashmë janë në bojkot, veprim ky i cili ka filluar pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), si kundërpërgjigje ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektet e gjykatave, raporton “Betimi për Drejtësi”.