Diskutohet agjenda e administrimit të provave në seancën ku mungoi Enver Sekiraqa, pasi s’ishte dërguar me kohë urdhëresa për sjelljen e tij

Foto Enver Sekiraqa
Author
Qershor 11, 2019

Prishtinë – Mos dërgimi me kohë i urdhëresës për sjelljen e Enver Sekiraqës në gjykatë, ka bërë që të mos mbahet seanca e rigjykimit ndaj tij, e paraparë për të martën, lidhur me akuzat për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, mungesa e të akuzuarit Enver Sekiraqa për këtë seancë, arsyetohet me një gabim teknik të administratës së gjykatës.

Sipas gjykatësit Hoti, administrata e gjykatës nuk ka dorëzuar me kohë urdhëresën për sjelljen e të akuzuarit Sekiraqa, edhe pse një veprim i tillë është evidentuar nga gjykata në procesverbalin e seancës së kaluar të 23 majit të këtij viti.

“Është një gabim teknik që ka bo administrata jonë dhe nuk ka dorëzuar urdhëresën me kohë për sjelljen e të akuzuarit edhe pse kryetari i trupit gjykues e ka evidentu një gjë të tillë në procesverbal në seancën e kaluar, e cila u shty”, tha gjykatësi Hoti.

Gjykatësi Hoti ka thënë se gjykata ka bërë përpjekje për sjelljen e të akuzuarit Sekiraqa, por kjo ka qenë e pamundur për shkak të rrethanave që lidhen me sigurinë e të akuzuarit.

“Ne kemi komuniku me telefon me Shërbimin Korrektues për sjelljen e të akuzuarit për këtë ditë, ose për sesionin e pasdites, por kjo nuk ka mund të realizohet për shkak se i akuzuari është person që kërkon siguri të lartë dhe ka qenë e pamundur të organizohen brenda një kohë të shkurtë të gjitha këto institucione të sigurisë”, shtoi gjykatësi Hoti.

Por, pavarësisht mungesës së Sekiraqës, palët kanë diskutuar rreth agjendës së administrimit të provave në këtë rigjykim.

Gjykatësi Hoti ka kërkuar nga prokurori special Haki Gecaj dhe nga mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, e përfaqësuar nga dy avokatët Kosovare Kelmendi dhe Boshtjan Benko, harmonizimin e agjendës, se cilat prova do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Sipas aktakuzës së ndryshuar, dokumentet dhe provat që duhet të paraqiten në gjykatë janë të evidentuara në faqen 66 dhe 67 të kësaj aktakuze dhe në mesin e tyre ka CD, raporte. Andaj do të ju pyes se a i konsideroni si të lexuara këto prova të shqyrtuara në gjykimin paraprak apo doni të administroni nga fillimi këto prova, kjo me qëllim harmonizimin e agjendës së punës dhe ekonomizimit të kohës”, tha gjykatësi Hoti.

Lidhur me këtë, prokurori Gecaj deklaroi se prokuroria do të propozojë që në këtë proces gjyqësor të administrohen disa prova të caktuara, dhe se nuk ka nevojë të administrohen të gjitha provat e shqyrtuara në gjykimin paraprak ndaj Enver Sekiraqës.

“Jemi në dijeni se tani jemi në rigjykim të kësaj çështjeje penale dhe unë mendoj që nuk do të ketë nevojë të administrohen të gjitha ato prova, por ne do të propozojmë që të administrohen si prova disa që janë administruar edhe më parë dhe që kanë të bëjnë me fotografi, me video incizime dhe prova të siguruara me aplikimin e masave të fshehta, si përgjim i telekomunikimeve dhe prova të siguruara lidhur me hartografinë e lëvizjes së personave të akuzuar ditën kritike kur ka ndodhur rasti”, tha Prokurori Gecaj.

Më pas, ka reaguar mbrojtësi i të akuzuarit Sekiraqa, avokati Boshtjan Benko, i cili ka kërkuar nga prokuroria që të specifikojë saktë se cilat prova do të propozohen nga ana e saj për tu administruar nga gjykata.

“Sa i përket provave materiale të prokurorit, gjëja e parë që unë pres dhe kërkoj që të specifikohen këto propozime saktë se cilat prova do të propozohen. Në gjeneral është shumë vështirë me dhon përgjigje për një propozim të prokurorit, i cili nuk është i konkretizuar. Andaj propozoj që të ftohet prokurori që t’i specifikoj dhe konkretizoj për seancën e radhës së cilat prova propozon që t’i administroj, në këtë mënyrë edhe mbrojtja edhe gjykata do të ketë njohuri për ato prova”, tha avokati Benko.

Avokati Benko ka ngritur çështjen lidhur me provat e siguruara në gjykimin paraprak ndaj Sekiraqës që ishin rezultat i bastisjes së realizuar nga policia në lokalin “Bar Sekiraqa”, duke shtuar se pret nga gjykata që ato prova t’i shpall të paligjshme dhe t’i veçojë nga shkresat e lëndës.

“Ka disa gjëra lidhur me provat që e thërras gjykatën që mi kushte vëmendje, dhe ato janë parashtruar edhe  në ankesën time ndaj vendimit paraprak të nxjerrë ndaj Enver Sekiraqës. Kur prokuroria i propozon provat, atëherë para se gjykata të bëj administrimin e tyre, duhet të vendos se cilat prova janë të grumbulluara në mënyrë të ligjshme dhe të kundërligjshme. Ne do ti paraqesim argumentet se pse bastisja e realizuar në lokalin “Bar Sekiraqa”, është bo jashtëligjshëm dhe pse të gjitha provat të marra atje të veçohen si prova të kundërligjshme”, tha avokati Benko.

Më pas, gjykatësi Hoti deklaroi se pret që prokuroria brenda një afati të shkurtë kohor të bëj një konkretizim të asaj se cilat prova do t’i propozojë për tu administruar dhe si rrjedhojë, mbrojtja do të pajiset me një shkresë të tillë, që do t’i mundësojë asaj paraqitjen e vërejtjeve lidhur me to.

Hoti ka sqaruar për palët në procedurë, se gjykata do të orientohet në administrimin e provave të reja, nëse një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje penale.

“Ne do të shikojmë procesverbalet e deklarimeve të dëshmitarëve dhe po që se ka nevojë me u plotësu kjo procedurë edhe me ndonjë dëshmitar, kjo nuk do të thotë se është mbyll ai kapitull dhe nuk mund të hapet. Ne do të shikojmë që deri në fund të këtij rigjykimi të administrojmë çdo provë të nevojshme për sqarimin e drejtë të kësaj çështje penale”, tha gjykatësi Hoti.

Po ashtu, edhe avokatja Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që të sqarohet çështja e dëshmitarit anonim, të njohur si D2, të dëgjuar në gjykimin paraprak, me arsyetimin se ai dëshmitar nuk ka qenë i propozuar nga palët, por është krijuar gjatë gjykimit.

“Dëshmitari anonim D2, statusi i tij në kuptimin formal juridik, ne nga gjykimi i kaluar ne nuk e dimë se si ka ardh ai dëshmitar, ai nuk ka qenë i propozuar as sipas detyrës zyrtare, as nuk ka qenë i propozuar prej prokurorisë. Por sinqerisht të ju them, ai ka qenë rezultat i një lloj hetimi dhe bashkëpunimi, prapaskene dhe përnjëherë është kriju ai dëshmitar, unë e kam pyet edhe prokurorin prezent, dhe prokurori më është përgjegj është dëshmitar i imi i propozuar sipas akuzës. Mirëpo, kjo çështje duhet të qartësohet”, tha avokatja Kelmendi.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Hoti mori vendim që kjo seancë të shtyhet.

Seancat e radhës do të mbahen më 11 dhe 12 korrik, nga ora 09:00, me ç’rast i akuzuari Sekiraqa do të sillet me urdhëresë të posaçme për këto seanca.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Betimipërdrejtësi