DhSK: Trupi gjykues lëshoi urdhër duke caktuar 26 majin si datë të synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes së Salih Mustafës

Raporton: Medina KADRIU

Përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur gjatë seancës të së enjtes, se trupi gjykues lëshoi urdhër duke caktuar 26 majin si datë të synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes së Salih Mustafës.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Griep ka thënë se në çështjen e Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tij, të premten, më 6 maj, u dorëzua një version i redaktuar publik i vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake lidhur me konfirmimin e aktakuzës së ndryshuar.

“Në vijim të dorëzimit të vendimit të javës së shkuar që konfirmon aktakuzën e ndryshuar, më 10 maj 2022 u mbajtën paraqitjet vijuese të secilit prej të akuzuarve. Të gjithë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat e ndryshuara në aktakuzë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, aktgjykimi në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj do të shpallet të mërkurën, më 18 maj në orën 10:00, dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ose fizikisht nga galeria publike e DHSK-së.

“Këshillojmë të bëhet regjistrim paraprak për gazetarët që dëshirojnë të përcjellin seancën nga galeria publike ose qendra e medias në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për t’u regjistruar paraprakisht, ju lutemi dërgoni një email në adresën [email protected] ku të shënoni emrin, organin e medias, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose letërnjoftimit dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Trial Judgment”. Ju lutem bashkëlidhni një kopje të vlefshme të skanuar të kartelës së shtypit”, tha tutje ajo.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë