DhSK thotë se u caktua paneli i Apelit dhe konferenca para apelit në rastin Gucati dhe Haradinaj

Raporton: Medina KADRIU

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se është caktuar Paneli i Gjykatës së Apelit në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, si dhe data e konferencës para apelit.

Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai njoftoi se më  21 qershor, kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur lidhur me njoftimet për apel të dorëzuara nga Gucati dhe Haradinaj kundër aktgjykimit të 18 majit.

“Të akuzuarit kërkojnë kapërcim të verdiktit të fajësisë së tyre ose ulje të dënimit në qoftë se verdiktet e fajësisë mbeten në fuqi. Në aktgjykim, trupi gjykues i shpalli dy të akuzuarit fajtorë për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare. Trupi gjykues i shpalli dy të akuzuarit të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes të paraqitur në aktakuzë. Trupi gjykues dënoi secilin nga të akuzuarit me 4 vite e gjysmë me burim dhe një gjobë prej 100 eurosh secilin”, ka thënë ai.

Tutje, Doyle tha se më 22 qershor, kryegjykatësja e Panelit të Gjykatës së Apelit, caktoi datën 5 korrik për të mbajtur një konferencë para apelit.

“Kjo do të jetë një seancë publike gjatë së cilës në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave, çdo personi të paraburgosur në pritje të apelit, i jepet mundësia të ngrejë çështje lidhur me apelin, përfshirë edhe lidhur me gjendjen mendore dhe fizike të  personit”, tha ai.

Ndërkaq, tha se në çështjen Salih Mustafa, më 20 qershor, trupi gjykues e deklaroi mbylljen  e procedurës së paraqitjes së provave dhe urdhëroi mbrojtjen dhe prokurorinë që brenda datës 21 korrik të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare, ndërsa mbrojtësja e viktimave të dorëzojë deklaratën e vet lidhur me ndikimin që kanë pasur krimet e pretenduara te viktimat.

Ai theksoi se trupi gjykues, gjithashtu, urdhëroi që deklaratat përmbyllëse të mbahen mes datave 13 dhe 15 shtator, ndërsa 16 shtatori do të jetë ditë rezervë.

Në vijim, tha se javën e shkuar ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim organizoi aktivitete në Kosovë. Sipas tij, deri më tani, DhSK ka mbajtur 20 takime bashkëbiseduese me njerëz anë e mbanë Kosovës.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë