DhSK thotë se takimi me Trendafilovën do të zhvillohet online, shkak interesimi i madh i pjesëmarrësve për të marrë pjesë përmes “Zoom”

Raporton: Medina KADRIU

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se veprimtaria për komunikim dhe ndërgjegjësim me kryetaren e DhSK-së,  Ekaterina Trëndafilova, që ishte planifikuar të mbahej me 4 korrik në Gjilan, tani do të zhvillohet tërësisht online.

Kjo sipas tij për shkak të preferencës të shprehur nga një grup i madh pjesëmarrësve për të marrë pjesë në këtë veprimtari përmes platformës “Zoom”.

Sipas tij, Trendafilova  e ka shtyrë udhëtimin e saj për në Kosovë deri pas periudhës së verës.

Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Doyle bëri të ditur se me 21 qershor kryetarja e Dhomave të Specializuara e caktoi një panel të Gjykatës së Apelit për të vendosur lidhur me apelet e drejtuara nga Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kundër aktgjykimit të 18 majit.

Ai tha se paneli përbëhet nga gjykatësit Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Doyle ka bërë të ditur se me 22 qershor kryegjykatësja Michele Picard e caktoi një konferencë  para apelit që do të mbahet javën e ardhshme me 5 korrik, në orën 14:00.

“Gjatë konferencës para apelit çdo personi të paraburgosur në pritje të apelit i jepet mundësia të ngrejë çështjen në lidhje me paraburgimin përfshirë gjendjen mendore dhe fizike të personit në një seancë publike”, ka thënë ai.

Sipas tij, me 22 qershor gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës pasi kishte konstatuar se rreziqet e arratisjes dhe të pengimit të mbarëvajtjes të procedurës apo të kryerjes së krimeve të mëtejme vazhdojnë të ekzistojnë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake më tej konstatoi se komunikimi i zotit Pjetër Shala mund të kufizohet në një mënyrë që i zbut mjaftueshëm këto rreziqe vetëm përmes kornizës të monitorimit të komunikimit që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë