DhSK: Iu vazhdua paraburgimi Shalës, pasi u konstatua rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave e kryerjes së krimeve tjera

Raporton: Medina KADRIU

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se më 21 shtator, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, pasi konstatoi se ende ekziston rreziku që i njëjti të arratiset dhe që mund të pengojë procesin ose të kryejë krime të tjera.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Griep tha se më 21 shtator, gjykatësi i procedurës paraprake, ia kaloi çështjen gjyqësore kundër Pjetër Shalës trupit gjykues.

Tutje, u tha se pas njoftimit të gjyqtarit paraprak se cështja është gati për t’i kaluar trupit gjykues, më 15 shtator, kryetarja e DhSK-së Trendafilova ia caktoi çështjen trupit gjykues numër 1 që përbëhet nga gjykatësit Roland Dekkers, Mappie Veldt-Foglia, Gilbert Bitti dhe Vladimir Mikula, i cili do të jetë gjyqtar rezervë.

Sipas saj, në të njëjtën çështje gjyqësore, më 19 shtator, gjykatësi i procedurës paraprake nxori vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave dhe pranoi gjashtë parashtrues të rinj si viktima pjesëmarrëse në proces.

Kurse, tha se ata do të përfshihen në grupin ekzistues me dy viktima pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës i viktimave.

Ajo ka deklaruar se më 20 shtator, trupi gjykues 1, ia vazhdoi paraburgimin e Salih Mustafës.

“Trupi gjykues konstatoi se ekziston ende rreziku që i akuzuari të pengojë procesin me anë të ndërhyrjes ndaj viktimave dhe dëshmitarëve dhe/ose familjeve të tyre. Trupi gjykues më tej konstatoi se nuk ka masa më të buta se paraburgimi në objektin e paraburgimit të DhSK-së, të cilat mund të zvogëlojnë mjaftueshëm rreziqet”, ka thënë ajo.

Griep, tutje, tha se më 16 shtator për arsye humanitare bindëse, Paneli i Apelit, udhëzoi Zyrën Administrative, të organizonte një vizitë të Hysni Gucatit në Kosovë si i paraburgosur për t’u takuar me familjen e ngushtë.

“Zoti Gucati qëndroi si i paraburgosur dhe nën kujdesin e Dhomave të Specializuara gjatë gjithë vizitës të tij. EULEX-i dhe Policia e Kosovës i ofruan mbështetje Dhomave të Specializuara të Kosovës gjatë kësaj vizite”, ka thënë Angela Griep.

Sipas saj, në çështjen  e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, më 26 gusht, gjykatësi i procedurës paraprake hodhi poshtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit dhe mbrojtja e Krasniqit lidhur me pretendimin për mosrespektim të detyrimeve për nxjerrje të materialeve sipas rregullës 103 të Rregullores nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Sidoqoftë, gjykatësi Guillou, nxiti ZPS-në të përmbush plotësisht detyrimet e saj lidhur me nxjerrjen e materialeve shfajësuese dhe t’i japë përparësi nxjerrjes së këtyre materialeve mbi afatet paralele apo detyrimet për materiale të tjera. Gjithashtu, ZPS u urdhërua që brenda 7 tetorit të dorëzojë një raport lidhur me nxjerrjen e materialeve, ku të shpjegojë vështirësitë e hasura gjatë përmbushjes së detyrimeve për nxjerrjen e materialeve të rregullës 103”, njoftoi ajo.

Ndërkaq, tha se më 15 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit, rrëzoi apelin e mbrojtjes së Kadri Veselit, që kundërshtonte vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, të datës 25 maj, me të cilin, ai pranoi 12 viktima si pjesëmarrëse në proces dhe miratoi kërkesën për mosnxjerrjen e identitetit të tyre.

Sipas saj, në këtë vendim, Paneli i Apelit, konstatoi se ruajtja e anonimitetit të viktimave në këtë fazë të procedurave nuk shkel të drejtat themelore kushtetuese dhe ndërkombëtare të të akuzuarit dhe pajtohet me konstatimin e gjykatësit të procedurës paraprake se në këtë fazë masat mbrojtëse kanë ndikim minimal në aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur për dëshmitë e ardhshme të dëshmitarëve.

Ndërsa, tha se paneli më tej rikujtoi se ruajtja e anonimitetit të viktimave pjesëmarrëse parashihet shprehimisht në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara dhe se mund të justifikohet në rrethanat e jashtëzakonshme.

Po ashtu, tha se kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, këtë jave ndodhet në një vizitë në Kosovë. Gjatë vizitës, ajo mbajti një aktivitet në internet në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim me shoqërinë civile dhe me medie, si dhe një ligjëratë me studentët e Fakultetit Juridik, në Prishtinë.

“Kryetare Trendafilova përsëriti përkushtimin e saj për të komunikuar me shoqërinë civile dhe mediet në Kosovë për të dhënë informacione rreth punës së gjykatës, si dhe për të dhënë mundësinë për të bërë pyetje”, tha Griep.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë