DhSK: Gjyqtari paraprak ka parë rrezik që Thaçi dhe Veseli të pengojnë procedurat dhe të kryejnë krime të mëtejshme

Raporton: Medina KADRIU

Përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se gjyqtari paraprak ka parë një rrezik që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të pengojnë procedurat dhe të kryejnë krime të mëtejshme për shkak të klimës së vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se më 26 maj 2022, gjykatësi i procedurës paraprake, urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Në të dyja rastet, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi vazhdimin e rrezikut që të akuzuarit të arratisen dhe përdorin ndikimin e tyre në Kosovë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve, të cilët mund të jenë të gatshëm t’u japin atyre qasje në fonde dhe mjete për të udhëtuar. Gjykatësi i procedurës paraprake më tej pa një rrezik që të akuzuarit të pengojnë  procedurat dhe të kryejnë krime të mëtejshme për shkak të klimës së vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë”, bëri të ditur Griep.

Sipas saj, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se rreziqet e pengimit të ecurisë së procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme nuk mund të zbuten mjaftueshëm me ndonjë masë shtesë jashtë ambienteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Tutje, ajo tha se më 1 qershor 2022, në rastin kundër  Salih Mustafës, trupi gjykues caktoi një ekspert financiar për të llogaritur dëmet materiale dhe humbjet ekonomike të pësuara nga viktimat e pretenduara në këtë rast. Raporti i ekspertit financiar duhet të dorëzohet deri më 23 qershor 2022.

Ndërkaq, tha se trupi gjykues më tej pranoi si prova dy raporte të ekspertëve më 3 qershor 2022, të cilat ofrojnë një vlerësim mjeko-ligjor, psikologjik dhe fiziologjik të dëmeve dhe lëndimeve të pësuara nga viktimat.

“Paneli gjithashtu nxori urdhra duke caktuar afate kohore për ZPS-në që të paraqesë çdo kërkesë për të paraqitur prova shtesë në kundërshtim nëse dëshiron dhe për mbrojtjen që të paraqesë kërkesën e saj për të paraqitur prova në kundërpërgjigje”, ka thënë ajo.Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë