Dhjetëra anëtarë të KGJK-së kanë ushtuar më shumë se një funksion, si e parasheh ligji këtë?

Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 10, 2021

Prishtinë – IKD ka hulumtuar pozitat dhe shtesat e anëtarëve të KGJK-së duke u bazuar në deklarimet e pasurisë të vet anëtarëve që kishin bërë në vitin 2020. Përveç anëtarëve aktual që ka KGJK, IKD ka hulumtuar edhe për anëtarët që kishin qenë pjesë e Këshillit gjatë viteve 2019 dhe 2020.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se, tre (3) anëtarë të KGJK-së, Driton Muharremi, Albert Zogaj dhe Nenad Lazic kishin ushtruar njëkohësisht nga tri (3) funksione. 10 anëtarë tjerë, kishin ushtruar nga dy pozita, konkretisht, pozitën e anëtarëve në KGJK dhe atë të gjyqtarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këta anëtarë që kishin deklaruar se kanë ushtruar nga dy pozita janë, Qerim Ademaj, Manushe Karaci, Cerim Fazlji, Avni Mehmeti, Muhamet Rexha, Vilard Bytyqi, Nehat Idrizi, Armend Berisha, Gjimshti Galushi dhe Anita Krasniqi-Prenaj.  Kurse, anëtaret Radojka Trifunovic, Makifete Saliuka dhe Teuta Ibrahimi kishin deklaruar se kanë ushtruar vetëm nga një pozitë. Kurse, sa i përket kryesuesit Çoçaj, i njëjti ka deklaruar se ka pasur vetëm pozitën e kryesuesit, mirëpo, bazuar në të hyrat që i njëjti ka deklaruar, është kontestuese nëse i njëjti ka qenë edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, pasi nga ky institucion i ka deklaruar si të ardhura nga shërbimet e trajnimit, mbi 1,000 euro.

Sa i përket shtesave, 76% të tyre apo 13 anëtarë e ish-anëtarë të KGJK nga 17 gjithsej sa janë analizuar, kanë deklaruar se kanë pranuar shtesa e kompensime të ndryshme, kurse katër (4) anëtarë, nuk kanë deklaruar se kanë pranuar ndonjë shtesë tjetër krahas pagave të tyre.

Në deklarimin e pasurisë që kishte bërë në vitin 2020, kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj kishte deklaruar pagë vjetore në lartësi prej 31,492.00 euro. Të ardhura të tjera, z. Çoçaj i kishte deklaruar 3,032.00 euro si mëditje nga KGJK për udhëtimet zyrtare, 2,765.00 euro si shpenzime të udhëtimit nga Këshilli i Evropës dhe 1,145.00 euro nga shërbimet e trajnimit në Akademinë e Drejtësisë. Në total, kryesuesi kishte deklaruar të hyra vjetore në shumë prej 38,434.00 euro.

Çoçaj, sipas deklarimit të tij pasurisë, nuk ka paraqitur ndonjë pozitë tjetër përveç asaj të kryesuesit të KGJK-së, përkundër asaj se nga deklarimi i të hyrave të tij, del se i njëjti kishte realizuar të ardhura nga shërbimet e trajnimit nga Akademie e Drejtësisë. Me këtë rast, siç shihet nga deklarim i tij i pasurisë, z. Çoçaj ka pranuar 1,145.00 euro nga shërbimet e trajnimit në Akademi të Drejtësisë. Një gjë e tillë del së është në kundërshtim me nenin 18 (5) të Ligjit për KGJK-në, i cili specifikisht ia ndalon kryesuesit të ushtrojë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehet me pagesë.

Neni 18. 5 i Ligjit për KGJK thotë se “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë”.

Anëtari më i ri i KGJK-së, Albert Zogaj, po del se është njëherit edhe më i paguari. Sipas deklarimit të tij të pasurisë të bërë në vitin 2020, ku si të ardhura vjetore, Zogaj kishte deklaruar 38,710.00 euro. Në këtë deklarim, Zogaj ka treguar se përveç pozitës së gjyqtarit, është edhe ligjërues në Kolegjin AAB.

Po ashtu, gjatë vitit 2019, ai ka qenë edhe pjesë e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Si pagë vjetore, Zogaj ka deklaruar shumën prej 26,303.41 euro, që paraqet pagën e tij si gjyqtar i Apelit në kohën e deklarimit të pasurisë. Nga kolegji AAB, ai ka deklaruar 5,472.00 euro të ardhura, kurse, 6,935.29 euro të ardhura tjera i kishte deklaruar nga KGJK, Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Akademia e Drejtësisë dhe angazhime të tjera.

Këto të fundit, Zogaj nuk i kishte ndarë sipas shumës, llojit apo burimit të tyre, siç kërkohet me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, por të gjitha bashkë i kishte deklaruar në një rubrikë. Lidhur me këto të hyra shtesë që kishte realizuar krahas pagës bazë, gjyqtari Zogaj ka theksuar se të njëjtat i ka deklaruar konform ligjit.

Më 26 janar 2021, KGJK kishte nxjerrë një vendim me të cilin, Zogaj i kishte lejuar të angazhohet si konsulent i pavarur në projektin e organizatës jo-qeveritare “Inject”. Në këtë pozitë, sipas vendimit të KGJK-së, gjyqtari Zogaj do të qëndrojë për një periudhë pesë mujore ndërsa do të paguhet nga 506,40 cent, apo në total 2,532.00 euro.

Me këtë rast, pasi që Zogaj është zgjedhur si anëtar i KGJK-së, angazhimi i tij me pagesë si konsulent i pavarur në një OJQ del nuk është në përputhje me Ligjin për KGJK, pasi ky ligj, në nenin 18.5 të tij përcakton se “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë.” Rrjedhimisht, Zogaj, duke qenë anëtar i KGJK-së, i bie që nuk ka të drejtë të ushtrojë një detyre tjetër profesionale, sikurse konsulent i pavarur, për të cilën detyrë ai pranon shpërblim me pagesë.

Anëtari tjetër i KGJK-së, Nenad Lazić, në deklarimin e tij të pasurisë të bërë në vitin 2020, ka theksuar se përveç pozitës së gjyqtarit dhe të anëtarit në KGJK, ka qenë pjesë edhe e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Si pagë vjetore, Lazić ka deklaruar shumën prej 29,762.34 euro, kurse si të ardhura nga PZAP, gjyqtari Lazić ka deklaruar të hyra prej 5,422.51 euro. Si total, të hyra vjetore që kishte deklaruar gjyqtari kishin qenë 35,184.00 euro.

Anëtari tjetër i KGJK-së, gjyqtari Driton Muharremi, në deklarimin e tij të pasurisë në vitin 2020, kishte deklaruar se përveç pozitës së gjyqtarit, mbante edhe pozitën e zëvendës-kryesuesit në Këshillin Drejtues të Akademisë së Drejtësisë si dhe atë të ligjëruesit në Kolegjin “AAB”. Si të ardhura vjetore nga paga dhe nga Akademia e Drejtësisë, Muharremi kishte deklaruar shumën prej 27,923.00 euro. Me këtë rast, gjyqtari Muharremi nuk i kishte ndarë të hyrat që kishte pranuar nga dy burime të ndryshme, siç janë KGJK dhe Akademia e Drejtësisë, por, të dy këto lloje të të hyrave nga dy burime të ndryshme i kishte paraqitur së bashku. 6,402.00 euro të hyra, gjyqtari Muharremi i kishte deklaruar nga Kolegji “AAB”. Gjithashtu, i njëjti kishte deklaruar edhe 300 euro të hyra nga IKT dhe 69 euro mëditje tjera nga gjykata-sekretariati. Si total i të hyrave vjetore që kishte pasur. Muharremi kishte deklaruar 34,694.00 euro.

Lidhur me të hyrat që kishte realizuar nga Këshilli Drejtues i Akademisë së Drejtësisë, Muharremi është thirrur në ligjin për Akademinë e Drejtësisë, konkretisht në nenin 13 të ligjit.

““Neni 13 i Ligjit për Akademinë e Drejtësisë ka paraparë edhe kompensimin për anëtarët e KD të AD ku shprehimisht thekson: Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë të drejtë në kompensim për pjesëmarrje në mbledhje. Anëtarët e Këshillit Drejtues marrin kompensim për çdo mbledhje të mbajtur mirëpo shuma e përgjithshme e kompensimit nuk mund të kaloj shumën prej dyqind (200) Euro për një (1) muaj, përjashtimisht kryesuesit të Këshillit Drejtues, i cili nuk mund të pranoj më shumë se dyqind e pesëdhjetë (250) Euro në muaj pavarësisht numrit të mbledhjeve të mbajtura brenda një (1) muaji.  Meqë mbledhjet nuk kanë qenë çdo muaj dhe ky kompensim në muajin kur kemi pasur mbledhje gjithmonë me ka dalë së bashku me pagën nga KGJK, nuk i kam specifikuar pasi e kam pasur të vështirë të dijë sa ka qenë ky kompensim neto pasi 200 eurot që i parasheh ligji me sa di kanë qenë bruto”, ka thënë Muharremi për “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari nga radhët e Gjykatës së Apelit, Nehat Idrizi, kishte qenë kryesues i KGJK-së deri në mars 2019, kurse pas mbarimit të mandatit si kryesues, i njëjti kishte vazhduar të jetë anëtar i Këshillit deri në dhjetor 2019, kohë në të cilën kishte dhënë dorëheqje. Si të ardhura vjetore nga paga e tij, Idrizi kishte deklaruar 35,738.92 euro, kurse, 224.84 euro i kishte deklaruar mëditje nga KGJK. Nga shërbimet e trajnimit dhe arsimit në Akademinë e Drejtësisë, gjyqtari Idrizi kishte deklaruar 384 euro.

Sipas gjyqtari Idrizi, të gjitha këto të hyra shtesa janë të bazuara në ligj.

“Sa i përket çështjes së kompensimit nga ana e Akademisë së Drejtësisë, ju njoftoj se kompensimi është bërë në bazë të kontratës për shërbime të veçanta të trajnimit siç përcaktohet me aktet ligjore të Akademisë së Drejtësisë, siç është Rregullorja për Programin e Trajnimit Fillestar për Gjyqtar. Ky shërbim hynë në kuadër të mësimëdhënies dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarëve që është obligative. Sa i përket shumës së meditëjeve nga ana e KGJK-së, kjo është realizuar për udhëtimezyrtare, siç zbatohet nga të gjitha institucionet vendore. Te ardhurat e realizuara dhe të deklaruara hyjnë në kuadër të fushëveprimit tim profesional. Sa i përket pyetjeve tjera ju informoj se mua me datë 08.03.2019 më ka skaduar mandati i Kryesuesit të KGJK-së, ndërsa me datë 15.11.2019 për arsye personale kam dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KGJK-së e cila edhe është aprovu”, ka thënë Idrizi.

Gjyqtari Armend Berisha kishte qenë pjesë e KGJK-së deri në nëntor 2019, kur kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit, për t’iu futur garës për kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë. Garën për kryetar, Berisha e kishte fituar dhe i njëjti në korrik 2020 ishte zgjedhur kryetar i GjTh Pejë. Por, ky kandidim dhe më pas zgjedhja e tij nga KGJK, del se ka qenë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Parandalimin e Konflikit të Interesit, konkretisht me nenin 18 të tij i cili u ndalon zyrtarëve të lartë të marrin pozita udhëheqëse në institucionet vartëse të organeve ku kishin shërbyer, për një periudhë dy vjeçare pas mbarimit të mandatit.

Anëtarja tjetër e KGJK-së, Anita Kraniqi–Prenaj, në deklarimin e saj të pasurisë, kishte theksuar se ka realizuar të hyra vjetore nga paga dhe mëditjet për udhëtime jashtë vendit, shumë prej 29,347.44 euro. Burimin e këtyre të hyrave, Krasniqi-Prenaj e kishte deklaruar KGJK-në dhe Akademinë e Drejtësisë, pa i ndarë kështu veç e veç, as llojin e të hyrave e as burimin e tyre. Sa i përket të hyrave nga Akademia e Drejtësisë, gjyqtarja nuk i ka specifikuar nëse këto të hyra kishin qenë shpërblim me pagesë për ndonjë detyrë që ajo ka mundur të ushtrojë në Akademi, pasi nëse kemi të bëjmë me një shpërblim të tillë, atëherë njëjtë sikurse te rasti i kryesuesit Çoçaj, edhe për gjyqtaren vlejnë ndalesat e përcaktuara edhe me ligjin për KGJK-në.

Zëvendës-kryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj, në deklarimin e tij të pasurisë, ka paraqitur të hyra nga paga prej 26,492.21 euro. Përveç pagës, i njëjti ka deklaruar si të hyra edhe 641,25 euro nga mëditjet për trajnime në Akademi të Drejtësisë si dhe 66 euro mëditje për ushqim nga KGJK. Në total, z. Ademaj kishte deklaruar të hyra prej 27,199.00 euro.

Për të gjitha këto dhe më tepër ndiqeni emisionin e plotë./BetimipërDrejtësi