Dezinfektohen objektet e gjykatat në Vushtrri dhe Skenderaj, ajo e Mitrovicës pritet të kryhet nesër

salla e gjykimeve
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Mars 24, 2020

Vushtrri –  Të martën ka përfunduar dezinfektimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri dhe dega në Skenderaj, si masë mbrojtëse nga virusi pandemik Covid-19.

Këtë për “Betimin për Drejtësi” e kanë konfirmuar gjykatësit mbikëqyrës, Rifat Bllata dhe Hajrullah Aruqi.

“Sot u krye dezinfektimi dikur rreth orës 09:30”, ka thënë gjykatësi Bllata.

Bllata, po ashtu, tha se janë duke u proceduar rastet e natyrës urgjente si dhe gjatë këtyre ditëve ka pasur raste me urdhër mbrojtje si dhe me paraburgim.

Kurse, Gjykata Themelore në Mitrovicë, ende nuk është dezinfektuar mirëpo sipas ushtrueses së  detyrës për informim publik të kësaj gjykate, Lumnije Surdulli, ajo pritet të dezinfektohet të mërkurën.

“Nesër në mëngjes pritet të dezinfektohet nga një kompani e kontraktuar nga Këshilli Gjyqësor”, ka thënë Surdulli.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 7-të, të mbajtur me 11 mars 2020, kishte paraparë në pikën 8-të si masë mbrojtëse nga Corna Virusi Covid-19, që të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike. /BetimipërDrejtësi