Detyrohet Komuna e Kamenicës që mirëmbajtësit të shkollës t’ia paguajë shujtat ditore

53112125_2208771715846528_8316285883221278720_n (3)
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Prill 30, 2021

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e mirëmbajtësit të ShFMU “Fan.S.Noli” në Kamenicë, Ramiz Huruglica.

Kjo gjykatë e ka detyruar Komunën e Kamenicës, përkatësisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që paditësit t’ia paguajë kompensimin e shujtave ditore për ditët e punës në shumë prej 1,100 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të 8 prillit të këtij viti, gjykata e ka detyruar të paditurën, që ajo paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 259 euro, në afat prej shtatë ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Kundër këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Artan Abazi, palët e pakënaqura janë udhëzuar se kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Mirëmbajtësi i shkollës Ramiz Huruglica, më 9 mars 2020, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai është në marrëdhënie pune në institucionin arsimor ShFMU “Fan.S.Noli” në Kamenicë, me përvojë pune mbi 30 vjeçare.

Sipas padisë, e paditura atij nuk i’a ka bërë kompensimin e ushqimit ditorë, dhe atë nga 18 prilli 2017 ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive e Arsimit.

Tutje, në padi thuhet se paditësi më 22 janar 2020, ka parashtruar kërkesë tek Drejtoria e Arsimit në Kamenicë lidhur me kompensimin e shumës së papaguar të shujtave ditore, mirëpo me 11 shkurt 2020 ai ka pranuar përgjigje në kërkesë e cila i është refuzuar.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’i paguajë shujtat ditore për ditët e punës gjatë viteve shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019, 2019/2020 në shumë prej 1,110 euro, me kamatë ligjore nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, brenda afatit prej shtatë ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontestimore. /BetimipërDrejtësi