Dështon të nis gjykimi për vjedhje të rëndë, gjykatësja thotë se i akuzuari nuk u ftua në mënyrë të rregullt

mitro
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Prill 8, 2021

Mitrovicë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Kemajl Miftari.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e të pandehurit Miftari, për të cilin gjykatësja Branka Semenov tha se nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në sallë të gjykimit prezent ishte prokurorja Jelena Marjanoviq.

Megjithatë, në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësja Semenov e ka shtyrë seancën për 28 prill 2021, në ora 11:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 15 mars 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Kemajl Miftari, me arsyetimin se i njëjti, me 28 shtator 2020, rreth orës 22:30 minuta, në rrugën “Bora Stankoviq” në Mitrovicë – Veri, në shtëpinë e Bajram Qelës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshëm, me një mjet të përshtatshëm për thyerje dhe me një kaçavidë, me forcë e kishte hapur dritaren e banjës dhe kishte hyrë përmes të njëjtës, nga ku dhe i kishte vjedhur dy llapotopa, dy aparate dhe zmadhues të kompjuterit.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi