Dështon të nis gjykimi për kanosje, nuk është realizuar urdhëresa për sjelljen e të pandehurit me shoqërim nga Policia e Kosovës

IMG_6240
Author

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prill 12, 2021

Prishtinë – Si pasojë e mungesës së të akuzuarit për kanosje, Burim Shaljani, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar për këtë rast.

Gjykatësi i rastit, Ertan Sejfulla bëri të ditur se nuk është realizuar urdhëresa për sjellje me shoqërim nga Policia e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mungon i pandehuri, për të cilin është lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim nga Policia e Kosovës, mirëpo urdhëresa nuk është realizuar”, ka deklaruar gjykatësi.

Në këto rrethana, meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e shqyrtimit fillestar të hënën, seanca u shty për 18 maj, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Burim Shaljani akuzohet se me 28 qershor 2019, rreth orës 00:40, në rrugën “Nebih Gashi” nẽ Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme me të dëmtuarën Z.F, përmes numrit të telefonit i ka dërguar një mesazh kërcënues të dëmtuarës në numrin e saj të telefonit, në të cilin kishte shkruar “Qat minut qet takoj pasha vorrin e nanes kam me ta qky ftyren thikk”. Ndërsa, në aktin akuzues thuhet se, kur e dëmtuara ishte në shoqëri me avokatin e saj, i akuzuari e kishte ndal duke i thënë “Ku je oj k**v, se që të zyra me ti q.. r** e r**i”, si dhe ka vazhduar me fjalë kërcënuese “Thirre valluan tënd, se veq sa i kam shkru vëllait tënd në Beograd dhe le të vjen ktu tjau q.. n***n, krejtve rend ,e ti avokat mos u përziej”, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe të pasigurisë për jetë.

Me këtë, i pandehuri po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 KPRK-së.  /BetimipërDrejtësi