Dështon të nis gjykimi ndaj katër të akuzuarve për vrasje të rëndë në tentativë në një lokal në Prishtinë

foto per web -2-16.09.2020
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prill 28, 2021

PrishtinëTë mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj akuzuarve për vrasje të rëndë në tentativë Besim Gjukaj, Edmir Tahirukaj, Çlirim Kurtulaj dhe Argjend Gjukaj. Ky i fundit akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mungesa e avokatit Ekrem Agushi, i cili e mbron të pandehurin Besim Gjukaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i çështjes, Avni Syla, deklaroi se avokati Agushi është ftuar me ftesë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa prezent në seancë ishin prokurori Bashkim Zeqa, të pandehurit Gjukaj, Tahirukaj dhe Kurtulaj, si dhe mbrojtësit e tyre sipas detyrës zyrtare Arif Hasi, Eset Berisha dhe Ibrahim Shala.

Pasi që nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësi Syla mori aktvendim që e njëjta të shtyhet për 19 maj 2021, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Argjend Gjukaj, Besim Gjukaj, Edmir Tahirukaj dhe Çlirim Kurtulaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Hashim Rexhepi, Blin Kosumi dhe Shqipdon Berisha, e me dashje kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.

Në aktakuzë thuhet se më 23 dhjetor 2020, në lokalin Shisha Bar “Mileu” në Prishtinë, kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit, të tretë kamarierë në lokal, në atë mënyre që të pandehurit kanë hyrë në lokal dhe pasi që aty nuk ka pasur vende të lira për t’u ulur dhe të pandehurit nuk kanë pasur rezervim, i dëmtuari Hashim Rexhepi ka biseduar me të pandehurit në mënyrë që t’i siguroj një vend për t’u ulur dhe aty i pandehuri Besim Gjukaj ka debatuar me të, ku ky i fundit i thotë se: “Nuk mundem me e qu dikond pa u qu vet me dëshirë dhe në momentin që të qohet dikush, ju thirri juve, edhe pse jena në përfundim të orarit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më pas i pandehuri Besim e ka ofenduar të dëmtuarin me fjalët “o p*** n****” dhe papritmas e godet dy herë me boks në fytyrë, ku pastaj i pandehuri Ardhend e godet menjëherë mbrapa në shpinë të dëmtuarin, 8 herë pa u ndalur me thikë, e pastaj i pandehuri Çlirim e godet të dëmtuarin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Besim fillon të godas të dëmtuarin Blin Kosumi fillimisht me grushte në kokë dhe pastaj e godet me shishe të barit në kokë “mjet i rrezikshëm” dhe aty vjen i pandehuri Argjend që e godet me thikë katër herë në shpinë dhe njëherë në dorë, gjithashtu të dëmtuarin Blin e godet me grushte dhe shqelma edhe i pandehuri Çlirim, ndërsa i pandehuri Edmir godet me grushte të dëmtuarin Shqipdon në pjesë të ndryshme të trupit, ku më pastaj aty ka shkuar edhe i pandehuri Besim i cili e ka goditur me shisha-nargille në kokë dhe i pandehuri Argjed me thikë në dorë i vërsulet për ta goditur, por i njëjti arrin të largohet.

Në aktakuzë thuhet se në këtë rast të pandehurit kanë rrezikuar jetën edhe të personave tjerë për shkak se lokali kishte mysafirë, e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë “Golf 7”, ku nga kjo ngjarje i dëmtuari Hashim Rexhepi ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të dëmtuarit tjerë Blin Kosumi dhe Shqipdon Dervishaj kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Të pandehurit akuzohen se me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1 pika 1.5 dhe paragrafi 1 pika 1.11 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sipas dispozitivit të aktakuzës, Argjend Gjukaj në po të njëjtën natë ka mbajtur një thikë, të cilën e ka poseduar në mënyrë të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi