Dështon të mbahet shqyrtimi gjyqësor për korrupsion ndaj zyrtarit të kompanisë “Eco Higjiena”, shkaktar pandemia

107960624_808998123192788_1720837544717671803_n
Author

Raporton: Teuta GASHI

Korrik 20, 2020

Gjilan – Shkak i dështimit të seancës gjyqësore, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 korrik 2020 ndaj të pandehurit Senad Ramaj, i akuzuar për korrupsion, njëherit anëtar i bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, ishte pandemia, e cila bëri që seancat e rregullta të anulohen dhe të njejtat të mbahen kur të krijohen kushtet e përshtatshme për t’u mbajtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më 9 korrik 2020 ka marrë vendim që në Gjykatë të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, vetëm rastet me paraburgime.

Ndërkohë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil, të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, siç janë urdhërmbrojtjet dhe masat e përkohshme–masat siguruese, thuhet në komunikatë.

Ramaj akuzohet se në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontenjerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Sipas prokurorisë, thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza zyrtarin e “Eco Higjiena”, Senad Ramaj.

Lidhur me këtë aktgjykim të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, më 16 maj 2019, e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe vendosje.

Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i paqëndrueshëm, pasi i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 12 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, Senad Ramaj, në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Një gjë të tillë, i akuzuari pretendohet se e ka bërë duke formuar komisionin për shitjen e aseteve me vendim të falsifikuar dhe pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik.

Asetet e lartpërmendura, sipas prokurorisë, më 6 janar të vitit 2012, janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80,576.83 euro.

Në aktakuzë thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro.

Në këtë drejtim, Ramaj akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi