Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar për posedim të narkotikëve, mungon i akuzuari dhe prokurori

IMG_0698
Author

Raporton: Elsa Kollqaku

Prill 8, 2021

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Labinot Jashari, ka bërë që të dështojë seanca fillestare e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas gjyqtarit të çështjes Ertan Sejfulla, nuk dihet nëse i pandehuri Jashari e ka pranuar ftesën, pasi që nuk është kthyer flet kthesa.

Ndërsa prezent në seancë nuk ishte as prokurori i shtetit, për të cilin gjyqtari Sejfulla tha se është ftuar në mënyrë të rregullt por nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 maj 2021, në ora 10:30.

Ndryshe sipas aktakuzës, më 17 dhjetor 2018, rreth orës 23:00, në rrugën “Mentor Retkoceri” në Prishtinë, i pandehuri Labinot Jashari, me dashje, pa autorizim kishte poseduar një qese najloni me substancë narkotike të llojit Marihuana, të cilën e kishte hedhur në tokë duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Tutje në aktakuzë thuhet se derisa zyrtarët policor nga Policia e Kosovës-Stacioni policor Veriu në Prishtinë, në kërkim e sipër të pandehurin e lartcekur e hasin në lokacionin në rrugën “Drenica” në Prishtinë, me të cilin rast sipas Raportit të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, të datës 03.12.2018 është konstatuar se i njëjti ka poseduar me substancë të llojit Marihuanë me peshë 5.6 gram.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “Posedim I paautorizuar I narkotikëve, substance psikotrope ose analoge” nga neni 275 par 1. Të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi