Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj policit i cili po akuzohet se tentojë ta përvetësojë një telefon të cilin e kishte gjetur gjatë një kontrolle

IMG_4317
Author

Raporton: Denisa JASHARI

Maj 5, 2021

Ferizaj – Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj zyrtarit policor, Radosava Milosevica, i cili po akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është shtyrë me kërkesën e të akuzuarit, i cili ka kërkuar që në seancë të jetë prezent edhe avokati i tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Milosevica tha se veçse ka angazhuar një avokat, mirëpo siç tha, avokati nuk ka mundur të jetë prezent në seancën e caktuar për të mërkurën.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit, Sahit Krasniqi vendosi të shtyjë seancën, ashtu që seancën e radhës e caktoi më 22 maj 2021, në ora 10:00.

Ndryshe prezent në sallë të gjykimit ishte prokurori Rasim Maloku dhe përkthyesi i kësaj gjykate Mentor Zejna.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 15 dhjetor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj Radoslava Milosevica, sipas të cilës, ai po akuzohet se më 8 maj 2020, rreth orës 21:10 në fshatin Gotovushë, Komuna e Shtërpcës, si person zyrtar – polic i Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me nenin 10 të Ligjit për Policinë numër 04/L-076, nuk kishte përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, ai e kishte bërë në atë mënyrë që me rastin e zbatimit të planit operative për mbikëqyrjen e masave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë pandemisë për shkak të virusit Covid-19, për ndalimin e tubimeve publike dhe aktiviteteve sportive, së bashku me zyrtarët policorë, rreshterin Dragan Markoviq, rreshterin Radisha Jovanoviq dhe policin Aleksander Jakocoviq, kishin shkuar në fshatin Gotovush ku ishte duke u luajtur një lojë e futbollit, me ç’rast pjesëmarrësit në lojë kishin arritur të iknin nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të fushës sportive, i pandehuri ka gjetur një telefon të markës Samsung S10+ në vlerë prej 630 euro, i cili ishte pronë e të dëmtuarit Andrea Simiq, e që telefonin e cekur, sipas prokurorisë, nuk e kishte dorëzuar në stacionin policorë, por e kishte fshehur rreth 100 metra larg stacionit policorë, me qëllim të përvetësimit për vete.

Mirëpo, vazhdon aktakuza, pas ankesës nga i dëmtuari, i pandehuri e kishte pranuar se telefonin e kishte fshehur dhe të njëjtin pastaj e kishte gjetur dhe telefoni i ishte kthyer të dëmtuarit.

Me këtë, prokuroria e akuzon Milosevican se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi