Dështon të mbahet seanca pasi mungon i akuzuari

IMG_9198
Author

Raporton: Blinerë BEKA

Prill 7, 2021

Prishtinë – Në mungesë të kushteve ligjore, ka dështuar të filloi gjykimi ndaj të akuzuarit A. I., për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulm”.

Sipas njoftimit nga ana e Policisë së Kosovës, urdhëresën nuk kanë mundur ta realizojnë pasi që dera e shtëpisë së të akuzuarit I. ka qenë e mbyllur, e i njëjti jeton vetëm.

Ndërkaq, të akuzuarit do të ju përsëritet urdhëresa për sjellje me shoqërim.

Në këto rrethana, gjykatësi Ertan Sejfulla e ka shtyrë seancën për  datën 17 maj në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 25 janar 2021, A. I., akuzohet se më 27.8.2020, rreth orës 19:20 , në rrugën “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, ka hyrë në një servis dhe posa ka hyrë brenda, duke pasur në dorë një mjet të mprehtë (skallper), mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve trupore, ka sulmuar të dëmtuarin Milot Miftari, I cili është zyrtar policor në Policinë e Kosovës, ku i dëmtuari Milot Miftari me atë rast ka arritur ta largoj nga lokali të akuzuarin A. I., por nga sulmi i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore në dorë.

Më tutje, sipas aktakuzës i akuzuari I., në orën 19:35, duke u larguar nga vendi I ngjarjes, ka tentuar të godas me thikë, mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve trupore, të dëmtuarin Shpëtim Balaj, i cili në ato momente ishte me prindërit e tij, ku prindi i tij, Driton Balaj e ka ndihmuar që ta largoj të akuzuarin A. I.

Për këto, A. I. akuzohet për kryerjen e veprave penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.2, lidhur me par.1 pika 1.4 dhe për veprën penale Sulm nga neni 184 par.2, lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi