Dështon të mbahet seanca në rastin ku KEK-u po kërkon nga e paditura kompensimin e dëmit në vlerë mbi 400 euro

f5
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku pala paditëse  Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), po kërkon nga e paditura, Shemsije Konushevci, kompensimin e dëmit material në vlerë prej 456.44 euro.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e të paditurës Konushevci, për të cilën gjykatësi Egzon Mujaj, tha se nuk ka provë se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga fletëdërgesa për dorëzim personal rezulton se e paditura nuk është ftuar në mënyrë të rregullt pasi që lajmërimi i është lënë më 5 tetor 2020, që e paditura më datën 6 tetor 2020, të lajmërohet në gjykatë për ta pranuar ftesën e datës 16 tetor 2020, në afat prej 15 ditësh nga dita e lënjës së lajmërimit” tha gjykatësi Mujaj.

Në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë për datën 10 nëntor 2020, nga ora 11:00.

Në seancën e së premtes prezent ishte përfaqësuesi i paditëset, Izet Rexha, raporton “Betimi për Drejtësi.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2014, paditësja Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), sipas autorizimit nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.a (KEDS), po kërkon nga e paditura Shemsije Konushevci, kompensimin e dëmit material në vlerë prej 456.44 euro.

Në padi thuhet se e paditura prej datës së pa vërtetuar e deri më 22 janar 2010, me qëllim që vetës t’i sjell pasuri të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautotrizuar, ashtu që në njehsorin elektrik ka larguar tri urat e tensionit të ulët, ashtu që energjia elektrike nuk është regjistruar në njehsorin elektrik, ku me këto veprime i ka shkaktuar paditëses dëm material në vlerë prej 456.44 euro.

Sipas padisë, e paditura është dënuar me vendim të formës së prerë nga ish-Gjykata Komunale në Prishtinë, më 15 mars 2012, për veprën penale vjedhja nga neni 252 të Kodit Penal të Kosovës, dhe paditësja është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kompensimit të dëmit të shkaktuar.

Përmes padisë, pala paditëse po kërkon nga gjykata që të obligohet e paditura Konushevci, t’ia kompensoj dëmin e shkaktuar nga keqpërdorimi i energjisë elektrike. /BetimipërDrejtësi