Dështon të mbahet gjykimi për vjedhje rrymë për shkak të mos sigurimit të një interpreti për gjuhën e shenjave

fotoja e gjyakt[s 11
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Gusht 15, 2019

Lipjan – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për vjedhje rryme, Skender Kleqka.

Vendimi për shtyrjen e seancës u mor pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Valon Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sadiku kërkoi nga gjykata që seanca e së enjtes të mbahet një ditë tjetër, për shkak se i mbrojturi i tij nuk e ka të zhvilluar aftësinë e dëgjimit dhe nuk ka mundësi të komunikoj me të, për cka ai tha se duhet të sigurohet  një intepret përkatës për persona të tillë, që të krijohet mundësia që të kuptohet se i njëjti a e kupton aktakuzën që i vihet në barrë.

Me një propozim të tillë u pajtua edhe prokurorja Arbresha Shala.

Gjykatësi kësaj çështje, Selman Salihi deklaroi se përkundër përpjekjeve, nuk ka mundur të siguroj një interpret për gjuhën e shenjave, duke marrë aktvendim që seanca të shtyhet për kohë të pacaktuar, derisa në sigurimin e një interpreti të tillë.

Prezent në seancë ishin edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës KEDS, dëshmitari Shkelzen Bequku si dhe djali i të akuzuarit, Arben Kleqka.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur me 2 prill 2015, prej datës së pavërtetuar e deri me datën 26 korrik 2013, i akuzuari në shtëpinë e tij në fshatin Kleqkë, Komuna e Gllogocit, ka bërë lidhje në mënyrë të drejtpërdrejtë në përçues të rrymës elektrike pa njehsor matës dhe pa autorizim të furnizuesit të autorizuar KEDS-it.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti me këtë veprim ka pamundësuar regjistrimin e saktë të shpenzimeve të energjisë elektrike, me ç ’rast të dëmtuarës KEDS-it, Distrikti në Prishtinë, i ka shkaktuar dëme material në vlerë prej 496.94 euro.

Me këto veprime, ai po akuzohet se e ka kryer veprën penale “lidhje e paautorizuar në shërbime” nga neni 321 të KPRK-së./Betimipërdrejtësi