Dështon të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për heqje të shenjës zyrtare në prani të gjykatësit dhe ekspertit

1
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Nëntor 8, 2018

Vushtrri – Ka dështuar seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në rastin ku Brahim Hajdari po akuzohet se, në prani të gjykatësit Besnik Feka dhe ekspertit Bedri Dobra, ka hequr shenjën të cilën e kishte vendosur personi zyrtar për sigurimin e vijave ndarëse të parcelave kadastrale.

Shkak i mosmbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor ishte mungesa e përfaqësuesit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Rifat Bllata mori aktvendim për shtyrjen e seancës në fjalë, kurse atë të radhës e caktoi për 22 nëntor, në ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 4 korrik 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Brahim Hajdarit me pretendimin se kishte kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hajdari, më 17 prill 2014, në fshatin Nadakovc në Vushtrri, kishte hequr shenjën e vendosur nga personi i autorizuar, e cila ishte vënë me qëllim të sigurimit të vijës ndarëse të parcelave kadastrale, dhe të njëjtën e kishte vendosur disa metra larg vendit ku kishte qenë më parë.

Siç thuhet në aktakuzë, Hajdari këtë veprim e kishte kryer në prezencë të gjykatësit Besnik Feka dhe ekspertit të gjeodezisë Bedri Dobra. /Betimipërdrejtësi