Dështon të fillojë rigjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Komunës së Vitisë dhe dy të tjerëve

75540047_421238711887699_4428080255332253696_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Nëntor 14, 2019

 



Gjilan – Ka dështuar të fillojë rigjykimi ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Florim Ramaj dhe Valdet Xoxa si dhe të akuzuarit për mashtrim në detyrë, Sami Mjaku, në të cilin rast seanca ishte paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Si arsye e mos mbajtjes së kësaj seance, ishte mungesa e të akuzuarit Sami Mjaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të akuzuarit Mjaku, avokatja Blerina Dërmaku, ka njoftuar trupin gjykues se ajo paraprakisht kishte biseduar me të mbrojturin e saj, dhe se ai e kishte njoftuar atë se përkohësisht gjendet jashtë vendit, në shtetin e Zvicrës, duke i propozuar gjykatës shtyrjen e këtij gjykimi.

Në seancën e së enjtes, kanë prezantuar prokurori Arben Kadriu, i akuzuari Florim Ramaj, me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Bardhosh Dalipi, si dhe i akuzuari tjetër Valdet Xoxa.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 23 dhjetor 2019, nga ora 10:00.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 10 maj 2019, i kishte liruar nga akuza menaxherin për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, Florim Ramaj dhe drejtorin e konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, Valdet Xoxa, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga akuza ishte liruar edhe pronari i kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, Sami Mjaku, i akuzuar për “mashtrim në detyrë”.

Aktgjykimin ndaj tyre e kishte shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi, i cili kishte thënë se gjykata nuk kishte gjetur prova se ata i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, më 30 shtator 2019, kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, dhe këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i Themelores përfshinë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 paragrafi 1, nënparagrafi 1.12 të KPPK-së, ngase aktgjykimi nuk është përpiliuar në pajtim me nenin 370 të KPPK-së, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me brendinë e tij, me arsyetimin si dhe faktet vendimtare dhe me përmbajtjen e provave materiale të administruara si në shkresat e lëndës, si dhe me deklaratat e dëshmitarëve, andaj edhe si i tillë është i paqëndrueshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 nëntor të vitit 2017, i akuzuari Florim Ramaj, në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, për rregullimin e trotuareve dhe ndriçimin publik, në bashkëkryerje me të akuzuarin Valdet Xoxa, drejtor i konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, më 8 qershor të vitit 2016, kishin keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, duke shkelur detyrat e tyre të domosdoshme dhe kontratën për mbikëqyrjen profesionale.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, edhe pse e kishin ditur se punët nuk ishin kryer, me qellim që të akuzuarit Sami Mjaku, t’i mundësojnë përfitim të kundërligjshëm, kishin firmosur raportet të cilat i kishte përpiluar i akuzuari Xoxa, me të cilat e kishin obliguar komunën që të kryente pagesën në shumë prej 63.350.00 euro, ndaj operatorit teknik “Ylli Dekor & Vizion BD”, ende pa i përfunduar punimet.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i kishin mundësuar të akuzuarit Mjaku përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 5.011.23 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë.

Ndërkaq, i akuzuari Sami Mjaku, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, kishte bërë prezantim të rremë, duke përpiluar fatura fiktive, njërën në shumë prej 50.000.00 euro, njërën 53.328.00 euro, njërën në shumën prej 48.814.00 euro, njërën në shumën prej 6.526.00 euro, si dhe shumën prej 11.010.00.

Ndërsa, prej këtyre shumave, 66.350.00 euro i kishte marrë, kinse i ka kryer punimet, mirëpo, i njëjti i kishte faturuar pa përfunduar punimet, duke i shkaktuar Komunës së Vitisë, dëm material në shumën prej 5,011.23 euro.

Prokuroria të akuzuarit Ramaj dhe Xoxa, i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarin Mjaku me veprën penale “mashtrim në detyrë”. /Betimipërdrejtësi