Dështon seanca pasi mungoi prokurori, njëri i akuzuar në Suedi, të tjerët s’ftohen me rregull

Author

Raporton: Ermira HOXHA

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Ka munguar prokurori pavarësisht se ftesa kishte shkuar me rregull. I akuzuari Nuhi Sopi ndodhet në Suedi derisa i akuzuari tjetër Leutrim Krasniqi dhe të dëmtuarit Selam dhe Sevdat Selmani nuk janë ftuar me rregull.

Këto ishin arsye që të dështojë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Sopi dhe Krasniqi po akuzohen se në gusht të 2018-ës kishin kanosur me armë Selam dhe Sevdat Selmanin.

Gjykatësja Donikë Shala-Abdyli deklaroi të martën se në fletëkthesën e kthyer në gjykatë babai i tij, Nuhi Sopit, theksohet se i njëjti gjendet në Suedi.

Ndërsa, lidhur me mungesën e të akuzuarit Leutrim Krasniqi dhe të dëmtuarve Selam dhe Sevdat Selmani, sipas gjykatëses Shala-Abdyli gjykata nuk ka prova nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

E po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe prokurori i shtetit për të cilin gjykatësja Shala-Avdyli tha se gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance e njëjta është shtyrë, kurse ajo e radhës mbetet e pa përcaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të 2019-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nuhi Sopa dhe Leutrim Krasniqi po akuzohen se në bashkëkryerje me NN personin më 25 gusht të 2018-ës në rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë me qëllim të frikësimit kanë kanosur të dëmtuarit Selam dhe Sevdat Selami.

Në aktakuzë thuhet se, derisa të dëmtuarit Selam dhe Sevdat Selami, ishin duke lëvizur më veturën e tipit “Audi” të pandehurit nga ballkoni i katit të dytë të lokalit “Luxory” ua kanë gjuajtur një cigare mbi automjet, e kur i dëmtuari Selam Selami e ka ndalë veturën i pandehuri Krasniqi ia ka drejtuar armën duke e sha dhe duke i thënë “se kam me të vra”.

Tutje në aktakuzë thuhet se, më 29 gusht 2018, derisa sa të dëmtuarit ishin duke kaluar në rrugën dhe me veturën e njëjtë, të pandehurit me veturën e tipi “VW” jua kanë bllokuar rrugën, e pastaj nga vetura ka dal i pandehuri Sopi i cili e ka nxjerrë armën nga brezi dhe ia ka drejtuar të dëmtuarit Selam Selami duke e kërcënuar më fjalët “dil jashtë nga kerri dhe shtriju”, e më pas nga vetura kanë dal edhe i pandehuri Krasniqi dhe NN personi të cilët po ashtu në dorë kishin armë dhe ia kanë drejtuar të dëmtuarit Sevdat Selmani.

Aktakuza thotë se kur të dëmtuarit ishin duke iu shmangur të pandehurve, njëri nga të pandehurit i ka gjuajtur me armë, me c ‘rast të dëmtuarve u kanë shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.  /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.